Kroacia ishte njëra prej rivaleve të Kosovës në ciklin eliminator për Botërorin e futbollit “Rusia 2018”.
Kroatët e fituan bindshëm ndeshjen e parë ndaj Kosovës, por të dytën e fituan me shumë vështirësi, me rezultat minimal, 1:0. Kroacia më pas shkoi deri në finale të Botërorit, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo vlerësohet si dëshmi se me çfarë rivalë të fortë Kosova është përballur në ciklin e saj të parë kualifikues. Në “ciklin” e dytë, Kosova do të ketë punë me kundërshtarë dukshëm më të lehtë. Nuk do të jenë Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia e Finlanda, por për kundërshtarë do të jenë Azerbajxhani, Ishujt Faroe e Malta.
Me këto tri përfaqësuese të vogla Kosova do të përballet në Ligën e Kombeve të UEFA-s, garën e re të Konfederatës Evropiane të Futbollit.






