Lokale - eSIMy

Një ceremoni mjaft e vështirë mortore, ku fjalët janë të pakta, është ajo që u mbajt në fshatin Resulaj të Selenicës të Vlorës, ku dje u vranë nga dora e një 24-vjeçari, 8 familjarë, nga gjyshërit dhe fëmijët e vegjël, duke shuar tre familje.

Në ceremoninë mortore të familjarëve Zykaj, mbajti fjalë një bashkëfshatar i tyre dhe një përfaqësues nga bashkia e Selenicës. Të qarat e të afërmeve të tyre, rrëqethin teksa mbaheshin fjalimet për 8 jetë të humbura.

I afërmi i familjarëve Zykaj bëri edhe një apel: “Ti qëndrojmë pranë adoleshentëve për të mos bërë veprime të tilla”. Ishte gjaku i tyre, Ridvan Zykaj 24 –vjeçar që vrau vëllain e gjyshit të tij me gruan, dy djemtë e çiftit të moshuar me gjithë nuset, dhe dy fëmijët e tyre të vegjël, Sarën 17 vjeç dhe Ledioni vetëm 6 vjeç.

“Shteti ti gjejë vendin kriminelit, psikopatit, të sëmurit mendor, nuk kam ç’të them tjetër, veçse ju ftoj në nderim të këasj familje të nderuar të mbajmë një çast heshtje në kujtim të tyre”, tha në fjalim i afërmi i familjarëve Zykaj që humbën jetën nga plumbat e kallashnikovit për një motiv banal sic është shprehur tashmë autori në polici: Pse u akuzua për vjedhjen e pulave.

Përfaqësuesi i Bashkisë së Selenicës që mbajti fjalë në varrim, e quajti këtë ngjarje një gjëmë që ka ndodhur në gjithë kombin shqiptar. “Në emër të bashkisë së Selenicës jemi pjesë e këtij hidhërimi deri në palcë. Të lënduar dhe të shokuar nga kjo ngjarje e rëndë. Kjo tragjedi e madhe shënohet rrallë, ndjeshmëria njerëzore është e shumëfishtë qoftë edhe për pamundësinë tonë për ta parandaluar”, tha ai. Bashkia e Selenicës shpalli të hënën ditë zie, ndërsa mori përsipër shpenzimet për varrimin e tetë familjarëve.

Familjarët varrosen në tokat e familjes që ndodhen pranë banesave të tyre, pasi ishte një amanet i të moshuarit të ndjerë, Demir Zykaj, i cili ishte shprehur se kur të vdiste donte të varrosej në tokat e tij.

EMRAT DHE LIDHJET E VIKTIMAVE ME NJERI-TJETRIN

1- Demir Zykaj, 75 vjeç (Vellai i gjyshit të autorit)

2- Perrie Zykaj, 78 vjeç, (Gruaja e Demirit)

3- Besim Zykaj, 42 vjeç (Djali i demirit)

4- Vasilika Zykaj 40-vjeç, (Gruaja e Besimit)

5- Sara Zykaj, 17 vjeç (Vajza e Besimit)

6- Ledjon Zykaj, 6 vjeç (Djali i Besimit)

7- Azem Zykaj 49-vjeç (Djali i Demirit)

8- Afërdita Zykaj 47-vjeç (Gruaja e Azemit)