Më shumë se 600 turistë janë shpëtuar pasi ishin bllokuar tash e dy ditë si shkak i tërmetit 6.4 ballësh në ishullin Lombok në Indonezi.
Gjashtë turistët e fundit u shpëtuan sot në mëngjes, shkruan CNN, përcjell Klan Kosova.
Sipas zëdhënësit të Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive, Sutopo Purwo Nugroho, ekipi i shpëtimit përbëhej nga 200 veta, përfshirë policë, ushtarë dhe mjekë.
Tërmeti kishte ndodhur të dielën në mëngjes teksa rreth 600 turistë të huajë po ngjiteshin në malin e lartë 3 mijë e 726 metra.
Pas tërmetit pati rrëshqitje të shumta të dheut dhe, si pasojë, të gjithë turistët u bllokuan.
Presidenti indonezian, Joko Widodo, të hënën vizitoi ishullin ku ndodhi kjo fatkeqësi. Ai tha se do të kompensoheshin të gjitha dëmet e pësuara.
Widodo u premtoi pronarëve të tokave të dëmtuara se do të marrin nga 3500 dollarë si ndihmë për t’i mbuluar shpenzimet për rindërtime.
Deri më tani, sipas vlerësimeve, thuhet se tërmeti shkatërroi dhe dëmtoi mbi 1000 mijë shtëpi.






