Lokale - eSIMy

Një qenushe në Kolumbi, e cila ka nuhatur një sasi rekord droge gjatë karrierës së saj me policët antidrogë, është zhvendosur në një lokacion të panjohur, për shkak të rrezikut për jetën e saj.

Shërbimet e inteligjencës kanë thënë se banda e drogës ‘Urabenos’ ka vënë 200 milionë pesosë (rreth 70 mijë dollarë) për kokën e pastorit gjerman, pasi ajo ka gjetur afër 10 tonë kokainë të kësaj bande, transmeton koha.net.

“Urabenos” cilësohet si organizata kriminale më e fuqishme kolumbiane.

Qenushja Sombra (Hija) është zhvendosur nga vendi ku gjente drogë për në aeroportin internacional të Bogotas, i cili konsiderohet më i sigurt për të, pasi është jashtë zonës së kontrollit të kësaj bande.

Sombra ka gjashtë vjet që ‘nuhat’ drogë për policinë antidrogë në Kolumbi, e gjatë kësaj kohe në vende të ndryshme ka gjetur afër 10 tonë kokainë, që në tregun e zi amerikan vlejnë milionë dollarë, nëse nuk do të ziheshin nga ‘Hija’, transmeton koha.net.

Kujdestari i qenit thotë se Sombra është e shoqërueshme me fëmijët, por e pamëshirshme ndaj drogës.