Lokale - eSIMy

Ramiz Kelmendi nga LDK, u raportua se është deputeti me më së paku pjesëmarrje në seanca, bashkë me Teuta Rugovën. Kjo sipas platformës “Vota ime” të KDI-së.

Por, deputeti Kelmendi e mohon një gjë të tillë. Thotë se s’ka qenë i pranishëm për shkak se ka qenë duke marrë trajtime shëndetësore.

Gjithashtu, thotë se s’është deputeti që ka marrë pjesë më së paku në seanca plenare, sipas tij, janë disa deputetë të tjerë para tij.

”Nuk jam deputeti që kam marrë pjesë më së paku, janë edhe disa para meje, por, jam deputeti që kam qenë taman, për arsye se pjesën tjetër kam qenë në trajtime shëndetësore jashtë shtetit dhe për mua prioritet është shëndeti im së pari. Se pa qenë i shëndetshëm nuk mundesh me u marrë me politik. Pra, nuk mund të krahasohet si pa angazhim, si pa interesim. Duhet dalluar dhe KDI duhet me dal me një informatë që ka qenë e cunguar apo ka pasur dëshirë të njollosë disa deputetë duke mos u marrë me realitetin e deputetëve”, ka thënë ai për kosovapress.

Ai madje ka mohuar se po e pengon biznesi për të marrë pjesë në seanca.

“Jo nuk ka lidhje biznesi, biznesi ka qenë edhe para 8 viteve edhe para 5 viteve, dhe nuk ka të bëjë fare me biznesin, ka të bëjë me shëndetin, me raportet mjekësore. Qëllimi i KDI-së është që të nxjerrë pak një anshëm, ose nuk e ka lexuar raportin realisht”, tha ai.

Ndryshe, sipas platformës “Vota Ime” të KDI-së, janë vetëm dy deputetë, Muharrem Nitaj i AAK-së e Salih Zyba i Vetëvendosjes që kanë marrë pjesë 100 për qind në seanca plenare.