Lumi i cili kalon nëpër fshatin Bellopojë të Podujevës është helmuar. Kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari. Ai përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shpërndarë edhe disa fotografi në të cilat shihen edhe peshq të ngordhur nga uji i lumit që rrjedh nga liqeni i Batllavës, njofton Llapi.info.
Sipas Jasharit “një biznesmen i lidhur me politikën më i fort se shteti. Thuaja çdo vikend kur shteti nuk punon edhe zyrtarisht, me një fabrikë të vogël që prodhon vaj ushqimorë, helmon ujin duke hedhur kemikale të pa filtruara në lumin e Batllavës që kalon nëpër fshatin, Gërdofc dhe Bellopojë, për të vazhduar në fshatin Shakovicë e tutje”
Jashari ka shkruar edhe pse është në kundërshtim me të gjitha ligjet, biznesmeni i cili po helmon lumin ka prapazyrtarë komunal e ministrorë.
“Për çudi edhe pse në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe udhëzimet që flasim për ambientin askush nuk e ndalon, e pse? Përgjigja e thjesht, zyrtarët komunal të Podujevës, e besa edhe të ministrisë që i ka prapa nuk qajnë kokën për dhjetëra banorë në fshatin Bellopojë, që punojnë tokën e sidomos atyre që bëjnë kultivimin e specit,domateve,trangujve e kultura tjera bujqësore dhe iu helmohen produktet bujqësore dhe iu pamundësohet që të ujisin token me ujin e lumit. Dje kemi vizituar lumin dhe nga disa banorë të fshatit jemi njoftuar se edhe këtë vit po vazhdon helmimi i ujit nga fabrika e vajit nga fsh. Lluga, e cila është duke shfrytëzuar vikendin për të liruar kemikalet në lum”, ka shkruar ai.
“Edhe pse disa herë kan protestuar banorët, për të ndaluar helmimin e ujit të lumit nga fabrika, janë ankuar ne komunën e Podujevës dhe në ministrinë e Ambientit por asnjëherë nuk është zgjedhur ky problem. Banorët kërkojnë zgjidhje për këtë problem derisa nuk ka ndodhur ndonjë e keqe pasi kjo gjendje është e padurueshme.
Si banorë nuk janë kundër fabrikës, por kërkojnë që të mos hidhen mbetjet e kemikalve në lumë dhe të mos iu pamundësohet shfrytëzimi i tokës së tyre bujqësore.
Pamjet e siguruara dje dëshmojnë për një krim ndaj natyrës dhe një urgjencë për zgjidhjen e këtij problemi. Bashkë me banorët do ta ndjekim këtë çështje ne rrugë ligjore prandaj na duhet ndihma e të gjithëve”, ka përfunduar shkrimin e tij Jashari./Llapi.info











