Përmbledhi: Gani Mehmeti
Potoku është një vend maloro-kodrinor me një rrafshlartë në kufi me Serbinë. Përfshin një sipërfaqe vetëm prej 3,29 km2 ose 329,87,40 h[1], prej të cilave kryesisht janë me livadhe, kullosa e male. Ka një pozitë të këndshme dhe mjaft romantike me ajër shumë të pastër e me një lartësi bukur të mirë mbidetare që duhet të jetë mes 900 e 1100 metra.
Potoku ka këto lagje: Neziri, Uka, Izlami dhe Tashevci. Lagjet Neziri e Uka janë pasardhës të Nezir Ahmetit, ndërsa Lagjja Izlami janë pasardhës të Izlam Qorrit, nipit të Demë Ahmetit. Lagjja Tashefci është lagje muhaxhire që kanë ardhur nga fshati me këtë emër – Tashefci në vitet 1877-1878 të ndjekur nga serbët. Në vitin 1979 lagjja Neziri ka pasur l4 familje, prej të cilave ishin 13 të shpërngulura dhe vetëm një ishte në Potok; lagjja e Ukajve kishte dy familje – të dyja në Potok; lagjja Izlami numëronte l3 familje, prej të cilave 10 ishin të shpërngulur. Edhe lagjja e Tashesëve numëronte 10 familje, prej të cilave vetëm dy ishin të shpërngulura. Sot Potoku është dashur të kishte 39 familje, por vetëm 14 prej tyre ishin në Potok, ndërsa 25 ishin të shpërngulura, përafërsisht dy të tretat ose 66%[2].
Potoku ka një reliev pothuaj krejt maloro-kodrinor, përveç një lugu paksa i madh, i cili është quajtur Prroni i Islamit, në emër të të cilit e ka marrë edhe emrin sot Potok, që do t; thotë Përrua. Në këtë përrua ka pak ara, livadhe; troje kishte dikur në fund të përroit, por që tani nuk ka më, sepse janë shpërngulur jashtë fshatit po thuaj të gjitha shtëpitë.Lart në kodër,që është një rrafshlartë e bukur, një vend romantik, nga ku e sheh tërë Mavriqin, është një vend i bukur ku sytë çelen. Edhe në këtë rrafshlartë ka ara, livadhe e kopshte pemësh e perimesh.
Potoku është njëri ndër fshatrat më të rinj në Llap. Deri pas ardhjes së serbëve si okupues dhe si kolonizues, ky vend, që është një përrua mes fshatit Repë në jug dhe fshatit Dvorishtë në veri, lidhet me Pollatën në perëndim dhe me fshatra të Kurshumlisë në lindje, si me fshatin Tashevc, një numër banorësh të këtij fshati jetojnë edhe në Potok, sot, të cilët kanë kaluar vetëm kufirin dhe janë gjendur në Kosovë. Thamë se serbët i lanë emrin Potok, po këtë emër ata e morën nga shqiptarët, vetëm sa e përkthyen drejtpërdrejt nga emri Prroni i Izlamit, nga se Potok, do të thotë përrua dhe përrua do të thotë potok. Prroni i Izlamit quhet prej kur Izlam Qorri, nipi i Demë Ahmetit, i cili ishte qorruar në njërin sy nga Novica, kur me singi ishte përpjekur ta vriste në djep në momentin kur serbët kishin qenë rrethuar në Polanë, në vendin ku ata po bënin aheng për “fitoren” mbi familjen e Demë Ahmetit. Novica i kishte rënë një herë singi, por nuk kishte mundur t’i binte më shumë herë mbasi e ëma ia kishte larguar me gjithë djep dhe Novica ishte vrarë menjëherë prej shqiptarëve që i kishin shkuar në ndihmë familjes së Demës, bashkë edhe me Demën. Shih, për këtë, ky u quajt përherë Izlam Qorri, që mbasi ishte rritur dhe ishte ndarë nga vëllezërit tjerë, ishte vendosur në këtë vend, afër xhaxhait të tij, Nezir Ahmetit. Mirëpo, Neziri kishte zënë arat e rrafshit në të dy anët e lumit të Mavriqit, ndërsa Izlami vendoset në lindje të këtyre arave. Prroni i Izlamit (Potoku) është një përrua që nis nga lumi i Mavriqit e shkon deri ne kufi me Serbine në lindje. Ky përrua i ka, si zakonisht përrenjtë, edhe shpatet e tija. Shpati në të djathtë shkon deri lart në rrafshlartë dhe pastaj vazhdojnë kodrinat e lugjet tjera më të vogla deri në Repë në jug dhe deri në Pollatë në perëndim, ndërsa në lindje, siç thamë më parë, kufizohet me fshatrat e Serbisë. Ka shumë pak tokë buke, po më shumë ka tokë për kullosa. Edhe malet nuk i ka me dru të trashë e të mëdhenj. Si vendbanim njihet që prej para tragjedisë së familjes së Demë Ahmetit e këtej, që do të thotë prej gjysmës së dytë të shekullit XIX.
Potoku, shtëpia e Abdullah Ramës, birit të Hamit Ramës
Potoku ka qenë i banuar edhe më herët. Kjo vërtetohet në bazë të toponomastikës së fshatit. Dy emra njerëzish kanë mbetur si legjendë në këtë fshat, për ata që kanë jetuar në Potok edhe para Nezir Ahmetit, për të cilët nuk dihet fare se kush ishin, nga kishin ardhur dhe kah e ku kishin shkuar.
Edhe sot është Dardha e Behlul Lushit, mu afër shtëpive pranë së cilës kanë qenë vendosur Izlam Qorri. Ishte një dardhë e madhe dhe e vjetër. Kjo dardhë mban emrin e Behlulit, po kush ishte ky Behluli, nuk e kanë ditur as të parët që ishin vendosur aty. Është edhe Kroni i Smaj Bull`s. Edhe kroit i ka mbetur emri i Ismaijlit, pa ditur se kush kishte qenë Ismajl Bulla dhe pse quhej kështu. Këta kanë jetuar këtu para se të vinte edhe Nezir Ahmeti dhe Izlam Qorri në Potok. Në këtë krua merrnin ujë për të pirë e për gjithçka që u nevojitej si dhe u jepnin ujë bagëtisë[3]. Kroni ekziston edhe sot e kësaj dite.
Fshati është quajtur me emrin Përroni i Izlamit (i quajtur Islam Qorri). Përroni i Izlamit ka qenë pronë e Idriz Agës të Kushumlisë. Një kohë, administrativisht, ishte pjesë përbërëse e fshatit Mavrishtë (Dvorishtë) e më vonë e fshatit Pollatë[4].
Më parë, në dokumentet e shkruara, e hasim si vendbanim të veçantë, të regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h)[5]. Sipas një harte etnografike të fundit të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX ky vendbanim kishte 12 shtëpi shqiptare.
Lisi i Babës Demë, quhet kodra mes dy lugjeve që shihet në Reçicë.
POPULLSIA
Në Potok është bërë disa herë regjistrimi i popullsisë, që nga viti 1913 e deri më 1981. Sipas viteve të regjistrimit, ka pasur këta banorë:
Në vitin 1913 fshati kishte 111 banorë;
në vitin 1921 kishte 21 shtëpi me 134 banorë;
në vitin 1948 – 28 shtëpi me 163 banorë;
në vitin 1953 – 26 shtëpi me 161 banorë;
ne vitin 1961 – 26 shtëpi me 161 banorë (146 shqiptarë, 14 serbë, 1 tjerë);
në vitin 1971 – 25 shtëpi me 175 banorë (174 shqiptarë, 1 serb);
në vitin 1981 – 22 shtëpi me 155 banorë (154 shqiptarë, 1 serb)[6].
Banorët e Potokut janë pasardhës të Nezir Ahmetit, vëllait të Demë Ahmetit dhe të Islam Qorrit, birit të Sylës së Demë Ahmetit. Ishte quajtur Qorri sepse ai kishte qenë qorruar nga vetë Novica me rastin e tragjedisë familjare të Demës më 28 qershor 1811. Novica kishte tentuar ta vriste Islamin kur kishte dëgjuar fjalët e Demës që po i thoshte Haifes, nënës së djalit që t`ia ruante atë nga Novica dhe me këtë rast e kishte qorruar.
Para agresorit serb në vitin 1999 fshati kishte 11 shtëpi shqiptare me rreth 91 banorë. Agresori serb dogji në këtë vendbanim të gjitha shtëpitë dhe objektet tjera ndihmëse dhe ekonomike. Më 24 mars 1999 nga forcat serbe, popullata është dëbuar në Metehi, e pastaj në vende të tjera[7].
Lagjja e pasardhësve të Nezir Ahmetit në Potok
POPULLSIA VENDËSE E POTOKUT
Popullsia vendëse e Potokut janë pasardhësit e Demë Ahmetit, më saktësisht pasardhësit e Islam Qorrit, shumica e të cilëve mbajnë mbiemrin e Islamit, pra Islami. Por, më përpara se Islam Qorri, këtu ka zënë vend Neziri i Ahmetit, vëllai i Demë Ahmetit. Këto dy lagje përbëjnë popullsinë vendëse të Potokut.
Njëri i Mavriqit, kur beselicêt kishin ardhur në Pollatë, gjoja për të ikur nga rakia (alkooli) në beselicë të Toplicës, i kishte thënë të beselicësit :
Rakia e Leskovcit të mban 40 ditë,
Rakia e Mavriqit të mban 400 vjet.
Mavriqët e Saradranit janë më të afërm me Monollët se sa me të tjerët në Mavriq.
Lagjja e pasardhësve të Nezir Ahmetit në Potok
PASARDHËSIT E NEZIR AHMETIT
Nezir Ahmeti është i vëllai i Demë Ahmetit. Nuk kemi njohuri se ku po jetonin të bashkuar në një familje të tre vëllezërit, që ishin bijtë e Ahmetit (ndoshta të Ahmet Shabanit). Dimë se Demë Ahmeti kishte jetuar në Reçicë, Kosumi i Ahmetit kishte jetuar në Dvorishtë dhe Nezir Ahmeti në mes të Pollatës dhe Dvorishtës, tani në fshatin Potok, që aso kohe ishte quajtur Prroni i Islamit (është fjala për Islam Qorrin, birin e Sylës të Demë Ahmetit. Nezir Ahmeti ishte vendosur buzë Lumit të Mavriqit e në vend të rrafshët, aty ku edhe sot i kanë shtëpitë pasardhësit e tij.
Të Nezir Ahmetit sot janë vetëm 26 shtëpi. 73 meshkuj dhe 60 femra, gjithsej 133 banorë. 63 me shkollim fillor, 41 me shkollim të mesëm, 1 me shkollë të lartë, 1 me fakultet, 6 studentë, 3 analfabetë, 18 autodidaktë dhe 20 fëmijë. Me punë të përkohshme janë gjithsej jashtë vendit 35 veta, – 20 meshkuj dhe 15 femra.
Pasardhësit e Islam Qorrit sot janë shtuar në 34 shtëpi[8]. Janë 141 meshkuj, 117 femra, gjithsej 258 anëtarë. 125 janë me shkollë fillore të kryer ose janë duke e kryer, 83 janë me shkollim të mesëm, 2 me shkollim të lartë, 8 me fakultet dhe doktorë shkencash, 2 studentë, 1 analfabet, 13 autodidaktë, 24 fëmijë të moshës parashkollore. Janë 66 veta jashtë shtetit, prej tyre 42 meshkuj dhe 24 femra.
Shtëpia e bijve të Kadri Mavriqit në Breglum të Dervenit, Fushë Krujë, Shqipëri
Trungu gjenealogjik I pasardhësve të Nezirit të Ahmetit, vëllait të Demë Ahmetit
E punoiL Gani I. Mehmeti, Podujevë, më 05.01.2017
PASARDHËSIT E ISLAM QORRIT
Është një histori më vete kjo e Islam Qorrit. Vetë Islami është biri i djalit zëmadh të Demë Ahmetit. Pra, Islami është nipi i Demë Ahmetit. Në tragjedinë e familjes së Demës, Islamin e kishin shpëtuar me rastin e ndërhyrjes së Llapit në ndihmë familjes së Demës dhe me rastin e hakmarrjes në ta.
Kur po afroheshin Dema me shqiptarët për t`i shpëtuar rejat e Demës, Islami ishte fëmijë diku gjashtë muajsh në djep. Novica kur e sheh se ishte i rrethuar, ndërmerr edhe një aksion, duke tentuar ta vrasë edhe fëmijën e fundit që kishte mbetur i gjallë në familjen e Demës (dhe mendon ta vrasë Islamin). Ai e gjuan me singi. i bjen në njërin sy dhe ai sy i kishte mbetur për tërë jetën i verbuar. Shih për këtë, Islami u quajt Islam Qorri. Edhe sot njihet me këtë emër. Përkundër asaj që Islami mbetet trashëgimtari më i parë i Demë Ahmetit, nuk është shtuar aq shumë. Pasardhës të tij sot janë vetëm 34 familje dhe, prej tij kemi sot 141 meshkuj me 117 femra. Për të tjerat, shih tabelën e regjistrimit.
Nga Reçica Islam Qorri ishte vendosur në vendbanimin mes Pollatës e Dvorishtës, në një luginë që shkonte nga lindja në perëndim. Kjo luginë, shpatiet e të cilë shtriheshin nga veri – jug, më vonë mori emrin e Islamit dhe u quajt Prroni i Islamit, duke u formuar kështu si fshat i ri.. Mbas ardhjes së pushtuesve serbë më 1912, ata ia ndryshuan emrin, duke e quajtur Potok, që do të thotë “përrua”. Me rastin e ndryshimit të emërvendeve të vendbanimeve të Kosovës, ku fshat u quajt LAMAJ.. Ndoshta do të ishte më mirë t`i kthehej sërish emri i tij i vjetër dhe i vërtetë: Prroni i Islamit.
POPULLSIA E ARDHUR (MUHAXHIRE) E POTOKUT
Edhe në Potok më 1878 u vendosën shqiptarë të dëbuar nga Toplica e vise tjera të Sanxhakut të Nishit. Këta nuk u vendosën pse kishte tokë të tepërt apo të mjaftueshme, sepse edhe ajo pak tokë që ishte e pakët dhe e ligë, por ata u vendosën, duke iu falënderuar banorëve të atëhershëm, të cilët u paraqitën mjaft solidarë me të përndjekurit.
Më 1878 u vendosën Tërmkollët dhe Bajkollët. Katër familje prej tyre u shpërngulën për Turqi. Tërmkollët janë Sop, ndërsa Bajkollët janë Kelmend[9].
Në fund të Përroit t`Islam Qorrit (Potokut) Peisazh: Natyrë e Potokut
TASHECËT[10]
Tasheci është vendbanim jo larg fshatit Pollatë, në pjesën lindore.
Përmendet në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk të vitit 1455 me 10 shtëpi e 3 beqarë.
Në vitin 1878, pas aneksimit të tokave shqiptare të Sanxhakut të Nishit, fshati është i ndarë në dy pjesë. Njëra i takon (fshatit të) Pollatës e tjetra pjesë, ana lindore, i takon Kushumlisë së Serbisë.
Para disa viteve ky fshat kishe 20 shtëpi. Mirëpo, shumë familje migrojnë në Turqi (pas vitit 1921), Besianë (Podujevë), Prishtinë, Fushë Kosovë. Kështu, para agresionit serb në mars-maj 1999, kiahte 12 shtëpi, të cilat së bashku me objektet përcjellëse dhe ekonomike u dogjën në tërësi; nga ky fshat ishte i vrarë një person. Tasheci nga ushtria serbe ishte djegur edhe ne vitin 1912 dhe 1944. Popullata i kishte bërë rezistencë, kështu, për shembull ishte i njohur që nga viti 1912 Halit Tashefci, të cilit iu kishin kushtua edhe këngë dhe kulla e tij e njohur ishte djegur në vitin 1999. Pas ardhjes së trupave të NATO-s, dy shtëpi serbe që jetonin aty kishin ikur, për shkak të mizorive të bëra[11].
Sot janë gjithsej 34 shtëpi Tashec. Pre tyre vetëm dy jetojnë në Tashec[12], tri shtëpi janë shpërngulur në Prishtinë dhe 29 shtëpi të tjera janë shpërngulur në Podujevë, ku jetojnë sot e kësaj dite. Tashefcët e dëbuar nga fshati i tyre më 1878 janë vendosur edhe në fshatin tjetër në kufi me Serbinë, Repë, ku përveç të shpërngulurve, jetojnë edhe sot aty.
Sot janë gjithsej 128 meshkuj dhe 109 femra. Gjithsej 237 banorë. 153 me shkollim fillorë, 38 me të mesme, një student, 7 analfabetë, 38 fëmijë. Jashtë janë 33 banorë -17 meshkuj dhe 16 femra.
Tashefcët janë muhaxhirë. Ata, më 1878 u shpërngulën me dhunë nga fshati i tyre dhe dolën këtej kufirit të sotëm Kosovë-Serbi. Fshati i tyre është në kufi me Kosovën, por fshati i tyre mbeti i huaj për ta. Në Potok u vendosën 4 shtëpi. Tashefcët, aty ku janë të vendosur, shkojnë me fshatin Potok e jo me fshatin Pollatë. Vendi ku qenë vendosur ata quhej Te Qukollët. Disa nga Tashefcët tjerë qenë vendosur në fshatin Repë, në jug të fshatit Potok.
Mbajnë mbiemrat Uka, Mustafa, Abazi, Bahtiri. Shihet nga trungu, se Mustafa është i pari i tyre. Arifi e Abazi janë bijtë e Mustafës, Uka është i Abazit, ndërsa Bahtiri është i Arifit. Pra, nuk e kanë mbajtur për mbiemër të tyre të gjithë emrin e të parit të tyre – Mustafa. Mbiemrin Mustafa e mbajnë vetëm tri familje; mbiemrin Abazi e mbajnë pesë familje; mbiemrin Uka e mbajnë 6 familje, Arifi 16 familje, ndërsa 4 familje mbajnë mbiemrin Bahtiri.
Uka ka qenë pjesëmarrës i frontit në Selanik rreth vitit 1911-1912. Ka qenë i plagosur dhe ka pasur edhe medalje nga shteti serb.
Kufirin kundër serbëve e ka mbrojtur Mustafa deri para Luftës së Dytë Botërore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore e kanë mbrojtur edhe Hajrizi e Muja, kuptohet, bashkë me fshatarë të fshatrave të tjera përreth. Me kapitullimin e Gjermanisë, Muja, për t`u ikur përndjekjeve nga serbët e komunistët, ka qenë inkuadruar në Brigadat Partizane në vend.
Ejupi është plagosur në kokë nga granata mbi Bradash, në Popovë në luftën e fundit kundër serbëve, më 1999. Ejupi ka mbetur gjysmë i verbër prej plagëve që ka marrë e nuk sheh mirë as sot e kësaj dite.
Pajaziti ka marrë pjesë në luftën e Koshares dhe ka qenë plagosur në vesh. Kishte ardhur nga Gjermania për të ndihmuar Luftën e Ushtrisë Çlirimtare.
Uka i Salih Tashefcit është vrarë nga serbët më 28 mars 1999 në dyert e Bejtë Mërrnicës në Podujevë.
Të gjitha shtëpitë e Tashecëve kanë qenë të djegura në Potok, ndërsa shtëpitë e të shpërngulurve kanë qenë të djegura përgjysmë, të gjitha.
Edhe Tashecët e Potokut janë shtuar në 34 shtëpi. Gjithsej janë 237 banorë – 128 meshkuj dhe 109 femra. 153 janë me shkollim fillor, 38 me shkollim të mesëm, 1 student, 7 analfabetë dhe 38 fëmijë të moshës parashkollore. Në Potok kanë mbetur vetëm dy familje me 11 anëtarë. Deri me 1999 ishin 7 shtëpi në Potok. Familjet tjera janë shpërngulur dhe janë vendosur në Podujevë 29 dhe në Prishtinë 3 familje.
EMËRVENDET E FSHATIT POTOK TË MAVRIQIT TË LLAPIT
- Ahat e Mdhaj
- Ara e Ademit, VL. Livadh
- Ara e Arifit t`Uks, livadhe mal
- Ara e Bal’s, J. Arë.
- Ara e Gatë, P. Arë.
- Ara e Hamitit
- Ara e Imerit, V. Arë.
- Ara e Kronit, V. Arë.
- Ara e Kronit t`Nezirit
- Ara e Maliqit L. Ishte i vëllai i Ramës. Nuk ka lënë trashëgimtar. Tani është prone e bijve të Bajrushit.
- Ara e Murselit, P. Arë.
- Ara e Nuhës
- Ara nër Shpi
- Ara e Sahitit t` Cek`s L. Livadh.
- Arat e Veselit, V. Ara. Veseli ka qenë djali i katërt i Nezir Ahmetit, djali i të vëllait të Demë Ahmetit.
- Arrat e Sahitit, P. Pemë. Sahiti ka qenë i Ceks t’Imerit t’Nezir Ahmetit. Sahiti i kishte pasë tre djem: Rexhepin, Halitin e Mehmetin. Haliti vritet në Luftën e Parë Botërore, në vitin 1916, Rexhepi vritet në vitin 1932, ndërsa Mehmeti jeton në Barainë, i cili është shpërngulur në vitin 1926.
- Balltaku i Sahitit, VP.
- Bahçet e Tashesve, VL. Kopshtije pemësh.[13]
- Bregu i Ahave, V. Ahishtë.
- Bregu i Mullinit, V. Mal.
- Bishti i livadhit t`Abdullahut L, Livadh
- Bishti i rrafshit, -kullosë
- Çajri (i) Cek’s, P. Kullosë.
- Çajri (i) Halitit t’Zenelit, V. Kullosë.
- Çajri i Islamit, – Kullosë,
- Çajri i Avdisë L, prone e Abdullah Ramës
- Çesta, VL. Çesta quhet për arsye se është prerë mali dhe mbas të prerit të tijë ka dalë një mal tjetër me drunj të shpesh.
- Çuka e Dardh’s Dem’s, L. Mal.
- Çuka e Ram’s, JP. Ledinë e Mal. Rama ka qenë i biri i Islam Çorrit.
- Dardha e Alisë JL
- Dardha Menike, V. Dardhë.
- Fun Ar’s t’Brahimit, L.
- Fun Rrezes t’Vulit, L. Mal.
- Furrigu i Çur’s, V. Therrishtë.
- Guri (i) Madh, V
- Kodra e Ademit, L. Livadh.
- Kodra e Dvorishtës
- Kodra e Gatë, V. Mal e ledinë.
- Kodra e Uk Potokut, VL. Ledinë.
- Koliba e Kaçakve, V. Vendi i mihur, ku kanë ndenjur kaçakët.
- Krojtë e Lugu t’Çuk’s, L. Burim.
- Krojtë e Lugut t’Qarrit, L. Burime.
- Krojt e Lugut t’Rrafshit, VL. Burime.
- Kroni (i) Ar’s, V. Krua.
- Kroni (i) Asqereve t’Mretit, VL. Burim.
- Kroni (i) Behlulit t’Lushit, P. Krua.
- Kroni (i) Halimit, JP. Krua.
- Kroni fun Kodre
- Kroni (i) Lejthisë, L.
- Kroni (i) Lugut t’Mexh’s, JL.
- Kroni (i) Maliqit, JL.
- Kroni I Marmullit, –
- Kroni (i) Mullinit, L.
- Kroni (i) Rrezes t’Vulit, L. Ku të dihet kush ishte Vuli?
- Kroni (i) Smajl Bull’s, JP. Ishte batri lëvizës nga një vend në tjetrin. Ka qëndruar një kohë në një vend dhe e ka ndërruar pastaj vendin. Me gjithë bagëti.
- Kroni (i) Tashefcit, V. Krua.
- Kroni (i) Uk’s, V. Krua.
- Kroni I Lugut t`Çuk`s
- Kroni I Maliqit, L.
- Kufini, L- është fjala me kufirin serb
- Krye Kodre, L. Livadh.
- Krye Prronit t’Potokut, V. Ledinë
- Lama e Nuh’s, V. Livadh.
- Livadhi (i) Ajetit, V. Livadh.
- Livadhi (i) Maliqit, JL: Livadh.
- Livadhi n` Qafa
- Livadhi te Krekci
- Lisi me Rrajë, V. Lis. Nga se i kanë dalë rrënjët jashtë, quhet Lisi me Rrajë
- Lkeni, V. Livadh.
- Llazi
- Lugu I Blets
- Lugu i Bollic’s, L. Mal e Livadh. Tashefcët I kanë mbajtur buallicat. Kishin pasur mullinj, kroje e pusa
- Lugu i Çuks, JP. Mal.
- Lugu i Fierit, L. Kullosë. Në të ka fier.
- Lugu i Kaprojve, V. Mal. Quhet kështu sepse këtu kanë ndenjur Kaprojtë.
- Lugu i Kinlave, L. Mal. Është pyll me drunj ahu i përzierë me drunj shkoze e lajthie. Nëpërmjet këtyre drunjve del edhe një lloj bari me emrin Kinla.
- Lugu i Konakut, V. Livadh.
- Lugu i Kronit, V. Livadh.
- Lugu i Lejthisë, L. Mal.
- Lugu i Mexh’s, JL. Mal.
- Lugu i Qarrit, VL. Mal. Ka drunj të mëdhenj çarri.
- Lugu i Rrafshit
- Lugu i Rrahisë, VL. Livadh.
- Lugu i Salihit t’Azem Potokut, V. Mal.
- Lugu i Sanave, L. Mal.
- Lugu i Sieçit t’Imerit, L. Mal.
- Lugu i Thiut, V. Mal. Quhet kështu, për arsye se këtu ka ndejtur një thi (derr) i egër një kohë.
- Llazi (i) Potokut, J. Merre, ledinë.
- Mahalla e Islamoviqe, P. Lagje. Ndryshe quhet Mahalla e Izlam Çorrit, sepse janë pasardhës të tij. Vendi ku është ngritur kjo lagje ëhstë quajtur Prroni. Izlami ka qenë biri i Dem Ahmetit.
- Mahalla e Neziroviqe, P. Lagje. Nezir Ahmeti ka qenë vëllai i Demë Ahmeti. Neziri i ka pasur katër djem. Deri vonë të gjithë pasardhësit e tij thirreshin me mbiemrin Neziri, Mirëpo, me zgjerimin e familjeve të kësaj lagjeje nisin e ndahen në nënlagje tjera të reja, të cilat lagje marrin emrat e djemve të Nezirit.
- Mahalla e Smajloviqe , P. Lagje. Është një lagje e re, e cila quhet në emrin e stërnipit të Nezir Ahmetit. Kjo lagje është shpërngulur e tëra nga Potoku, prej të cilëve dy familje kanë dalë edhe jashtë shtetit; në Francë dhe Zvicër.
- Mahalla e Tashesve, VL. Lagje. Kjo lagje ëhstë e ardhur nga katundi me të njëjtin emër, i cili gjindet në kufi me Potokun. Këta kanë ardhur rreth vitit 1875, në kohën kur ka qenë shtyrë kufiri nga Jastrebci e deri në ekzistimin e sotëm të kufirit Ko0sovç – Serbisë.
Nga fisi, janë fis me Mavriqin – Sop.
- Mahalla e Ukoviqe, V. Lagje. Kjo lagje është pjesë e lagjes së neziroviqe. Janë vetëm dy familje, të dyjat me banim në Potok. Uka ka qenë djal i tretë i Nezirit, dhe me këtë emër na dalin një mori emrash të vendeve.
- Mali (i) Ar’s t’Kronit, VL. Mal.
- Mali nër Ara t’Ukoviqe, L. Mal.
- Mejdentepe, VL. Livadh. S’dihet pse quhet kështu.
- Mi shpi t’Veselit, V. Mal e Kullosë.
- Osoja e Dardh’s t’Dem’s, L. Mal.
- Osoja e Potokut, V. Mal.
- Osoja e Prronit t’Izlamit, JL. Mal. Kështu quhet ana e majt e derdhjes së këtij prroni. Ky emër dëshmon se dikur vërtet është quajtur Potoku Prroni (i) Izlamit e jo Potok.
- Qershia e Nuhës
- Prroni (i) Izlamit, P e L. Përrua. Dikur Potoku është quajtur me emrin Prroni i Izlamit Shtrihet prej perëndimit e shkon deri në lindje të piko orientimit tonë. Shkon ky përrua prej shtëpisë së Jahirit e deri përtej lagjes së Tashesve. Potoku ka qenë pronë e Idriz Agës nga Kushumlia.
- Prroni i Potokut, – Eshte mes Kodrës së Dvorishtës dhe Rrafshit
- Reka e Mavriqit , P. Lumë. Lumi që kalon nëpër një pjesë të vogël të Potokut, nga Potokasit quhet Reka e Mavriqit, sado që edhe vetë Potoku bën pjesë në Mavriq.
- Roga e Bal’s, P. Ledinë.
- Roga e Kronit, V. Ledinë.
- Roga e Kumpirave, L. Ledinë. . Mal. Në fillim I ka mbjllur kumpirat aty Islami I Sylës, nipi I Demë Ahmetit
- Rrafshi (i) Lugut t’Mexh’s, JL. Mal.
- Rrafshi Koderës të Dvorishtës
- Rrafshi (i) Uk’s. VL. Ledinë.
- Rrahija, V. Livadh e mal. Që kur një pjesë e tij ka qenë prerë për t’u bërë tokë e punuar, është quajtur Rrah vendi. Pjesa e pyllit të prerë është shndërruar në livadh. Dhe tani ky vend është me mal e me livadh.
- Rrezja e Bregut t’Ahave. VL. Mal.
- Rrezja mi Shpi t’Sahitit. L. Mal.
- Rrezja e Potokut. V. Mal.
- Rrezja e Prronit t’Izlamit, P. VP. V e VL. Mal. Rrezja e Prronit t’Izlamit shtrihet në Veri, Veriperëndim, në Perëndim dhe në Verilindje të pikorientimin tonë. Është ana përballë Osojës t’Prronit t’Izlaimit, përndryshe i bie ana e djathtë e derdhjes së Përronit.Ndryshe quhet edhe Rrezja e Prronit t’Potokut.
- Rrezja e Vulit, L. Mal. S’dihet kush ishte Vuli.
- Sekullari, V. Mal e livadh. Është një lloj kodre e ngritur më lart se të tjerat. Gjindet në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës. Këtu ka qenë Karolli
- Shavari, L. Livadh. Vend i pasur me shavar.
- Shkoza tu Bunari, J. Livadh.
- Shpati (i) Ar’s t’Gatë, JP. Mal.
- Shpati (i) Lugut t’Kinlave, L. Mal.
- Shpati mi Xhade, P. Mal. Quhet edhe Shpati mi Shpi t’Murselit
- Shpia e Ademit, VL. Truall. Pasardhësit e Ademit sot quhen Mahalla e e Smailoviqe, sepse nga të katër djemët e Ademit, vetëm Smajli ka lënë trashëkgimtarë. Mahalla e Smajloviqe është shpërngulur e tëra nga Potoku, ndërsa shtëpisë së Ademit i kanë mbetë vetëm gjurmët e gërmadhave.
- Shpia e Ajetit t` Veselit
- Shpia e Bahtirit
- Shpia e Bajrushit
- Shpia e Behlulit, L. Truall. Tash është pronë e Bajrush Islamit. Nuk dihet se kush ka qenë Behluli. Dihet se ka qenë i Lushit, sepse ndryshe vendi quhet edhe Tu Shpia e Behlulit t’Lushit.
- Shpia e Jahirit
- Shpia e Halilit
- Shpia e NImanit, – tashefc
- Shpia Nuhës
- Shpia e Salihit
- Tu Bojlija, V. Qershi. Vendi përreth është livadh.
- Tu Bunari, V. Bunar.
- Te Dheni (i) Çerep’ve, V. Mal. Kuptohet, është vendi ku kanë marrë dhe për të mbaruar çerepët.
- Tu Molla (e) Egër, P. Livadh.
- Tu Mullini, L. Mal me lajthia.
- Te Koshi (i) Halitit, L. Livadh.
- Te Krekci, VL. Lloj druri.
- Te Shavari
- Te Udhët kryq
- Tu Kërrpajat (e Uk’s), P. Mriz.
- Tu Polloshka, L. Mal me gropa. Është një lloj i dardhave të buta, të cilat me emrin tjetër quhen edhe Krypimehçe.
- Tu Shpia e Sahitit, L. Truall.
- Tu Udh’t Kryq, L. Rrugica. Vendi ku janë kryquar rrugët.
- Tu Vigu, P. Urë. Vigu, quhet ura mbi lumin që vjen nga Dvorishta, i cili shkon për në Pollatë.
- Therraja, V. Mal me shkurre, therrishtë.
- Udha e Çastes, VL. Rrugicë.
- Udha e Kodrës t’Uk’s, VL. Rrugë.
- Udha e Kronit t’Smajl Bull’s, JP. Rrugë. Për Smajl Bullën nuk dihet se kush ka qenë. Mirëpo, ai kishte qenë dhe kishte banuar këtu një kohë të gjatë. Ai ishte marrë me bagëtinë e imtë, i cili kishte thënë: “Unë nuk kam ndejtë kurrkund ma shum se 4-5 vjet, po gjaja nuk më janë mbajtë kurrkund ma mirë se këtu në Prrue t’Izlamit. Kodër asht, po gjaja metilen.” Është për t’u çuditur se delet metilen vetëm lugjeve e jo edhe kodrinave.
- Udha Krye Kodre, L. Rrugicë.
- Udha e Livadhit t’Kronit, V. Rrugë.
- Udha e Lugut t’Çarrit, VL. Rrugë.
- Udha e Lugut t’Sanave, L. Rrugicë.
- Udha e Llazit, J. Rrugë. Kjo rrugë niset nga Zyreja e Vendit në Pollatë, shkon nga Vorret e Alioviqe dhe në kufi me Serbinë.
- Udha e Osojs t’Bardh’s t’Dems, L. Rrugicë.
- Udha prej Jahiri e n’Rrafsh, P. Rrugicë.
- Udha pej Reke e n’Mahallë t’Izlamoviqe, JP. Rrugë.
- Udha pej Xhadje, P, Q e V. Kjo rrugë ndahet nga xhadeja e shkon drejt Prronit t’Izlamit (Potokut) e Kah lagjja e Tashesve dhe deri në katundet e serbisë. Niset, pra në perëndim, shkon nëpër qendër e del në veri të pikorientimit tonë. Është rruga kryesore e katundit. Ndryshe e quajnë edhe Udha e Prronit t’Potokut dhe Udha e Prronit t’Izlamit.
- Udha e Rog’s t’Ahisht’s, J. Rrugë.
- Udha e Rog’s Tahirit, L. Rugicë.
- Udha e Rrafshit t’Lugut t’Mexh’s. JL. Rrugicë.
- Udha e Sieçit t’Imerit, L. Rrugicë.
- Vorret e Alioviqe, J. Varreza.
- Vorret e Izlamoviqe, J. Varreza.
- Vorret e Halitit t’Zenelit, V. Varreza.
- Vorret (i) Maxhupit, V. Varr.
- Vorret e Selmonoviqe, JP. Varreza.
- Vorret e Tashesve, VL. Varreza. Tashefcët I kaë varret e tyre I kanë edhe përtej kufirit
- Vorret e Ukoviqe, V. Varreza.
- Vorri I Sahitit, L.
- Xhadja, P. Rrugë. Xhade quhet rruga që kalon nëpër Pollatë – Dvorishtë.
- Zabeli i Abdullah Ramës L
- Zabeli (i) Rexhepit, L. Mal.
Informatorët për Potok:
- Bajrush Islami, 1911, bujk, autodidakt, Potok, 25.XI.1976
- Jahir Potoku, 1918, autodidakt, Podujevë
- Ramadan Mavriqi, 1930, bujk, analfabet, Prishtinë, 29.I.2006
- Idriz Mavriqi, 1946, punëtor. SHME, Prishtinë, 29.I.2006
- Shaban Mavriqi, 1956, shofer, Prishtinë, 29.I.2006
- Adem Mavriqi, 1965,vozitës, Prishtinë, 29.I.2006
- Ruzhdi Arifi, 1950, mësues, Potok.
- Imer Uka, 1939, Podujevë
- Hajdin Arifi, 1952, Podujevë.
- Rrahim Latifi, 1942, punëtor, Podujevë
Si gjithherë : Vërejtjet dhe këshillat i mirëpresim!
[1] Marrë nga Kadastri në Podujevë më 25.XII.2004.
[2] Gani Mehmeti: Toponomastika dhe mikrotoponimia e Mavriqit të Llapit”, punim diplome, Fakulteti Filozofik (Filologjik), dorëshkrim, Prishtinë, 1981,f. 6.
[3] Marrë nga Jahir Islami – Potoku, pasardhës i Islam Qorrit, tani 90 vjeçar. Podujevë, më 6.I.2008
[4] Dr. Jusuf Osmani, vepra e cituar, f. 169.
[5] Dr. Jusuf Osmani, vepra e cituar, f. 169.
[6] Dr. Jusuf Osmani, v. e cituar. F. 169.
[7] Dr. Jusuf Osmani, po aty.
[8] Statistika për numrin e shtêpive dhe numrin e banorëve flet për kohën kur janë marrë shënimet, nga viti 2004 deri më 2009. Kuptohet ; se sot ajo nuk u përgjigjet numrave tanë. Duhet të jenë shtuar edhe shtêpitë edhe banorët.
[9] Dr. Fehmi Pushkolli: Llapi gjatë historisë…, faqe 392.
[10] Emrin e këtij fshati e gjejmë të shkruar në disa forma : Tashec, Tashefc, Tashevc. Mendimi im është për variantin e parë – Tashec, ndoshta nga Tash+ec, që kanë mundur lehtë ta ndryshojnë serbêt, ashtu si u pëlqen atyre dhe ta largojnë nga Shqipja. Flitet se aty ka qenë edhe një Tashë-a, që me gjasë, ai êshtê urdhêruar të –eci – Tashë +ec, që –ë-ja bjen, natyrisht si në trup të fjalës kur bashkangjiten dy fjalë, që këtu janë Emër+Folje…
Është pak a shumë problematike drejtshqiptimi dhe drejtshkrimi i fshatit dhe të banorëve të vetë fshatit Tashevc. Në popull shqiptohet me f – Tashefc-i; Tashefcë-t. Nganjëherë edhe pa –v e pa –ë: Tashec-i: Tashecë-t. Emri Tashevc-i, Tashevcë-t është i huazuar nga serbokroatishtja, sipas mendimit tonë, nga që ata e quajnë Taqevac. Ndërkaq, sërish sipas mendimit tim, më së drejti është ta quajmë Tashec-i për fshatin dhe Teshec-ë-t për banorët e fshatit.
[11] Dr. Jusuf Osmani, po aty, faqe 223.
[12] Sipas informacioneve tona dhe sipas numrit të fshatrave që ka treva e Llapit nuk ekziston fshati me këtë emër – TASHEC. Pjesa e ndarë e këtij fshati më 1878 është bashkangjitur fshatit Potok, ndërsa banorët quhen Tashec dhe ndjehen tamam se janë e i takojnë po atij fshati, i cili në territorin e Llapit nuk ekziston. Tani, është pakëz çështja e koklavitur nga që nuk është e sigurt se u nda fshati, sipas Dr. Jusuf Osmanit, apo u ndoq popullata nga fshati Tashec që sot figuron në Komunën e Kushumlisë së Serbisë së sotme, apo të Serbisë pas vitit 1878, kur nën të mbetën gjithë fshatrat e Toplicës.
[13] Sipas individëve dhe sipas tekeve të tyre, banorët e Mavriqit herë e shqiptojnë Bashqe e herë Bahçe, pra, nuk kanë humbur ose shtuar shumë, vetëm një-s. BA(S)HQE dhe BAHQE. Kur shqiptohet me-sh, zbut bashkëtingëlloren e zëshme nga -Ç në -Q.