Autor: Gani Mehmeti

Fshati Bradash shtrihet diku nga kilometrin 5-6 nga Podujeva e shkon deri në kufi me Kaçanollin. Ka një sipërfaqe prej 1606 ha, 19 ari e 99 m2.  


Fshati Bradash kufizohet me Dobnratinin dhe Bajçinën në veri, me Letancin e Peranin në lindje, me Katunishten në jug, me fshatin  Popovë në jugperëndim dhe me Kaçanollin  në perëndim.

Nga lagjet e familjet janë:

  1. Gashët
  2. Gjakiqët (Zejnullahët, Ajetët, Osmanët)
  3. Tulahët
  4. Bekitë (Abazët)
  5. Hotët (Hoti, Çukollët)
  6. Kodralitë
  7. Spahinjtë
  8. Malokët
  9. Miftarët
  10. Kaçanollët
  11. Blakçorët
  12. Tërmkollët
  13. Revuçët
  14. Pakashticët

Me gjasë, më vonë, se kur ne i kemi marrë shënimet në fshatin Bradash kanë ardhur edhe banorë të tjerë nga fshatra të tjera.

Në bazë të disa mbetjeve të vjetra, vërtetohet se ky vendbanim ka qenë i banuar qysh në kohëra të lashta, që janë tek Guri i Bardhë dhe te Kërshi i Sokolit. Lashtësinë e ketij fshati e dëshmojnë edhe gjurmët  e kishave në vendin e quajtur te Kodra e Kishës. Jo larg këtij lokaliteti janë zbuluar skelete të varrezave të moçme. Ndërkaq, kisha tjetër  gjendet në pjesën perëndimore  të fshatit, afër lagjes së Spahiajve, ndërmjet dy lumenjve. Si duket, kjo ishte një kishë e vogël e kohës bizantine. Edhe në pjesën, në vendin e quajtur  te Ura e Bradashit, jo larg shkollës, thuhet se ka qenë një kishë e banorëve të këtij fshati, të cilët mbanin edhe derra, andaj është ruajtur toponimi Ara e Thiut. Lokalitet i vjetër është edhe vendi i quajtur  Kodra e Çelisë, Kroni i Çelisë. Aty janë gjetur gjurmë  të mbeturinave të materialit ndërtimor. Edhe në lagjen e Çukollëve, është gjetur një varrezë karakteristike e murosur me tulla.[1]

Në dokumentet e shkruara përmendet në defterin kadastral të Vilajetit Vëllk të vitit 1455 dhe ishte i ndarë në Bradashi i Poshtëm me 36 shtëpi dhe 4 beqarë , dhe në, Bradashin e Epërm  me 39 shtëpi, 4 beqarë e 1 e ve[2].

Më vonë, në defterët e Sanxhakut të Vushtrrisë ishin të regjistruar:  në defterin e vitit 1477 me emrin Bradash ishin të regjistruar 51 shtëpi, 10 beqarë dhe 4 të veja, me të ardhura 5446 akçe; Dona Bradash, timar i Hamza Beligradit , 39 shtëpi, 9 beqarë e 2 të veja, me të ardhura 3985 akçe.  Në defterin tjetër të vitit 1487: Gorni Bradash, timar i Musait i biri i Janikës, që i takon Nahijes së Llapît, 46 shtëpi, 14 beqarë e 4 të veja dhe Dolna Bradash, timar i Hajrullahut, me 46 shtëpi, 7 beqarë  me të ardhuira 5365 akçe[3].

Në defterin e Sanxhakut të Vushtrrisë  të vitit 1566-1574 me emrin Dolna Bradash në kuadër të Nahijes së Llapit kishte 29 shtëpi dhe 11 beqarë dhe me emrin Gorna Bradash kishte 30 shtëpi  dhe 7 beqarë[4].

Më vonë, fshati përmendet vetëm si vendbanim. Më 1630 përmendet “Simon nga Bradasie…”[5].

Në këtë vendbanim shqiptar, pas dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit më 1878, këtu u vendosën vëllazëria Tërmkolli me dy shtëpi[6].

Gjatë kohës së Mbretërisë  së Jugosllavisë  nga ky fshat u shpërngulën  në Turqi disa familje (Hoti dhe Gashi – Haziri). Ata edhe tani e vizitojnë fshatin[7].

Popullsia në fshatin Bradash ka shkuar vazhdimisht duke u shtuar sipas shënimeve statistikore siç është:

në vitin 1913 kisjhte  787 banorë;

në vitin 1921 fshati kishte 109 shtëpi me 844 banorë;

në vitin 1928 kishte  115 shtëpi me 780 banorë (682 shqiptarë  dhe 98 serbë);

në vitin 1948 kishte  147 shtëpi  me 1126 banorë;

në vitin 1953   162 shtëpi me 1262 banorë (1156 shqiptarë, , 88 serbë dhe 17 malazezë 1 tjerë;

në vitin 1961 kishte 189 shtëpi me 1389 banorë (1344 shqiptarë, , 45 serbë)

në vitin 1971 kishte 224 shtëpi me 1654 banorë( 1638 shqiptarë, 11 serbë, malazezë, 3 të tjerë);

në vitin 1981  kishte 231 shtëpi me 2217 banorë shqiptarë.

Fshati kishte pësuar gjatë pushtimit nga Mbretëria serbe  pas vitit 1912, pastaj nga pushtimi bullgar, etj.

Para agresorit serb në vitet 1998-1999, ky fshat kishte 349 shtëpi me 3470 banorë shqiptarë. Gjatë vitit 1999 nga ushtria e policia serbe janë djegur e shkatërruar  280 shtëpi dhe objekte tjera ndihmëse. Shkolla me bibliotekë me rreth 3600 libra, ambulanca ka qenë e granatuar, ndërsa xhamia  e ndërtuar në vitin 1877 është djegur në pjesën e përparme dhe brenda.

Nga ky fshat kanë rënë 6 dëshmorë, janë të vrarë 9 persona, të pagjetur janë katër veta.

Në këtë fshat vepronte Brigada e UÇK-së 152 “Shaban Shala”. Më 24 mars popullata e ka lëshuar fshatin. Pjesa më e madhe është vendosur nëpër male  e një grup në fshatin Barilevë, ndërsa disa individë janë  shpërngulur jashtë vendit[8].

EMËRVENDET E FSHATIT BRADASH[9]

Pikorientimi:   Shkolla Fillore e fshatit. (Q)

 

  • Ara mi Katun, P.
  • Arat e Bojlisë, VL.
  • Arat e M’dha
  • Arat tu Livadhi i Hanit, VL. Quhet kështu sepse ka pasur një han lagjja e Abazëve.
  • Bregu i Kish`s, L. Ka pasur një kishë të vjetër. Me gjasë ajo ishte parasllave. Mirëpo, sllavët janë përpjekur ta përvetësojnë, kur shqiptarët e kishin refuzuar si të tyren, mbasi ishin muslimanizuar.
  • Bregu i Rrahmanit
  • Bunari (i) Bradashit L.
  • Bunari (i) Xhamisë
  • Alli (i)Arave
  • Ara e Thiut
  • Çuka e Nazës, V.
  • Çepi i Poshtëm, P. Mal.
  • Delisi, V. quhet kështu vendi tek lagja e Revuçëve. Mund të vijë prej Dy Lisa. Ndryshe quhet edhe DELIQI.
  • Dardha e Mirë
  • Fushat, L. Ara.
  • Fushat e Malok`ve, J. Ara.
  • Fushat e Spahive, JP. Ara e Livadhe.
  • Guri i Shtratit, V.
  • Guri i Arush`s, V. Guri është me madhësi gati 100m me 50m, ndërsa shpella nën të ka një madhësi rreth 9m2
  • Huna e Islamit, VP.
  • Kapidoll, VL. Zabele, në kufi me Bajçinën.
  • Kërshat e Bardhë, P.
  • Klisyra, VP.
  • Kodra e Bradashit, VP.
  • Kodra e Kish`s, L. Këtu ka qenë e ngritur një kishë që moti. Kisha ka qenë shumë e vjetër, por mbasi ishin muslimanizuar shqiptarët, ata ua kishin kthyer shpinën kishave, faltoreve të të parëve të tyre. Këtë kishin ditur ta shfrytëzojnë me përpikmëri në mënyrën më dinake, serbët. Po, sepse, edhe pse ata kishin ardhur në Kosovë tek pas vitit 1918, i vizitonin prore, ashtu siç e kërkon feja ortodokse. Pranë kësaj kishe nuk ka varreza të reja. Janë vetëm ato të lashtat. Në realitet, këtu nuk mbahet mend kisha, por shihen gjurmët se dikur kishte ekzistuar. Nga lashtësia, duket të ketë qenë e kohës  romake a më e vjetër. Më saktësisht, mund ta japin fjalën ekspertët e këtij lëmi. Vendi ka një pozitë shumë të mirë, një vend i ngritur, i çuar bukur më lart  sesa ana e lindjes së saj, ndërsa ana perëndimore shkon rrafsh me Kishën ku ka qenë ngritur.
  • Kodra e Os Kuk`s, L. Ara.
  • Kodra e Syl`s, VP.
  • Kodra e Llaburës
  • Kodra e Xhamisë
  • Krojt Binak, P.
  • Kroni (i) Çelisë, V.
  • Kroni (i) Demës
  • Kroni (i) Halitit
  • Kroni (i) Leshnjes, L.
  • Kroni (i) Shapurit, L.
  • Kroni (i) Shtogut, P.
  • Kroni (i) Therr`s, VP.
  • Krye Prroni, VP.
  • Lisi (i) Xhanarit , P.
  • Livadhet e Bradashit, L. Shtrihen në anën e lindjes të rrugës Krypimeh – Podujevë.
  • Livadhi (i) Abazoviqe, P.
  • Livadhi i Arnautit,VP. Sipas legjendës, në Llap si banorë qenkan Çitakët e Bajçinës. Kur vjen i Bradashësi, kërkon nga i Çiakësi që t`ia gjejë një vend të përshtatshëm, ku kënata mbushet vet dhe drutë i ka afër, në mënyrë që pa u lodhur shumë, apo fare, të bëhet me dru. Çitaku e çon në një livadh të  gjërë e të hapur të rrethuar nga të gjitha anët me mal. Me ardhjen e turqëve, e rrethojnë livadhin, me rrethimin e tij, shohin se aty qenka dikush e merret vesh se ishin shqiptarë. Ata e quajnë Arnaut, në turqishte dhe i mbetet Livadhi i Arnautit.
  • Livadhet e Bradashit, L
  • Livadhi (i) Balt`s, P.
  • Livadhi (i) Vogël,
  • Livadhi (i) Madh
  • Ledinat
  • Lugu i Ahmet Alisë, V.
  • Lugu i Balt`s, V.
  • Lugu i Dredhave, V.
  • Lama e Druve, V. Quhet kështu vendi mes malit që është i përshtatshëm për t`i ngarkuar drutë në qerre, ndërsa deri këtu drutë i bijnë me çka e si mundin, por pak e nga pak.
  • Lugu i Fellë, VP.
  • Lugu i Fierit,, P. Mal.
  • Lugu i Gjanë, V.
  • Lugu i Keq, V. Mal
  • Lugu i Lam`s, P.
  • Lugu i Lajthisë
  • Lugu i Leshnjes
  • Lugu i Shpatit
  • Lugu i Livadhit t`Arnautit, VP.
  • Lugu i Lisit, V.
  • Lugu i Petrit, V.
  • Lugu i Qurshive, P.
  • Lugu i Sallahit, V.
  • Lugu i Sylë Hoxh`s, V.
  • Lugu i Shtratit, VP.
  • Lugu i Thive
  • Lugu i Zanave, VP.
  • Llazet e Nebihit, P. Lëndinë në mes të malit.
  • Llazi i Shelnjes, V.
  • Lloburja, P. Mal.
  • Mali (i) Sostë, P.
  • Mi Maxhupt, VL. Këtu kanë jetuar romët deri rreth vitit 1950.
  • Molla e Sokolit
  • N` Balle, P. Mal.
  • N` Hunë t` SEkilit, Mal.
  • N`Lug t` Zahaqit, V.
  • N`llaz t`Madh, VP.
  • N`llaz t`Vogël, V.
  • N` Qaf` t`Geg`s, VP.
  • Prroni i Kurtit, P.
  • Prroni (i) Nezës
  • Reka e Neziqe, VP. Është një lugshtajë e gjatë, e ngushtë dhe e thellë, në të dy anët e saj ngrihen shpatije e kodrina bukur të larta. Në anën e majtë të rrjedhës së saj, në Kodër, gjendet (shtrihet) Livadhi i Arnautit që ka një pozitë të mire natyrore.
  • Rrafshinat, L. Ara e livadhe.
  • Rrafshi (i) Kish`s, L. Rrafshi që shtrihet mbi Kodrën e Kishës së Bradashit.
  • Rrafshi i Lejthijave, V.
  • Rrasat, P. Gurë.
  • Rrezja e Kalin`s, V.
  • Rrezja e Madhe, P.
  • Rrezja e Lejthisë, VP.
  • Te çeremixhitë, VL. Arë. Këtu kanë prerë çeremide romët (maxhupët)
  • Sekili, VP,
  • Shapuri, L. Ara e troje.
  • Shavarak, P. Vend moçalik me shavar.
  • Shpati
  • Te Dardha e Zahaqit, V.
  • Te Gurra e Lamit, P. Krua.
  • Te Huna e Kalin`s, V.
  • Te Koliba e Behramit, V.
  • Te Quka e Lepaj`s, V.
  • Trojet
  • Tu Rovina e Madhe, V.
  • Tu Livadhi i madh, V.
  • Tu Huna e Rapushit, P.
  • Tu Gropat, P.
  • Tu Livadhi i Halitit, VP.
  • Tu Rovinat, P.
  • Tu Zabeli, P.
  • Utrinat, JL. Ara.
  • Udha e Fazlisë,V.
  • Vargu i Qurshijave, JL. Kanë qenë varg, të rënditura qershitë.
  • Vrella, P.
  • Vorret e Bradashit
  • Zabeli (i) Leshnjes, L.
  • Zahaqi i Hasanit, P.

 

E marr me mend, se, deri sa më mungojnë informatorë të lagjeve tjera në mbledhjen e emrave të vendeve të këtij fshati, puna nuk është kryer plotësisht. Kërkoj falje, po këtë mund ta bëjë edhe dikush tjetër.

 

                                                Informatorë:

  1. Zeqir Ajeti, 1906, analfabet, bujk. Marrë më 13. VI. 1974
  2. Bajram Pakashtica, 1928, me 4 klasë, pensionist
  3. Xhevat Ajeti, 1947, me 4 klasë, punëtor.
  4. Salih Pakashtica, 1962, automekanik. Marrë më 16. I. 1990.

 

Vërejtjet dhe këshillat janë të mirëpritura.

 

[1]  Dr. Jusuf Osmani : VENDBANIMET E KOSOVËS, Besiana (Podujeva),  2011, faqe 80.

[2] Dr. Jusuf Osmani : VENDBANIMET E KOSOVËS, Besiana (Podujeva),  2011, faqe 80 e 81.

.

 

[3]  Defterët e Sanxhakut të Vushtrrisë të viteve 1477 dhe 1487, p.c.

[4]  Dr. Jusuf Osmani : VENDBANIMET E KOSOVËS, Besiana (Podujeva),  2011, faqe 81.

[5]  Po aty.

[6]  Dr. Sabit Uka : Vendosja dhe pozita …, faqe 20-21.

[7]  Dr. Jusuf Osmani : VENDBANIMET E KOSOVËS, Besiana (Podujeva),  2011, faqe 81.

 

[8] Dr. Jusuf Osmani : VENDBANIMET E KOSOVËS, Besiana (Podujeva),  2011, faqe 82. Shënime që ia kishin dërguar me shkrim autorit Jahir Azemi dhe Beqir hajrizi, nga ky fshat, në dhjetor të vitit 2001.

 

[9]  Këtu nuk janë përfshirë emërvendet e lagjeve Ismaili nga Pakashtica dhe Shala nga Kaçanolli, që shtrihen në lindje të derdhjes të lumit Llap, të cilët herë shkojnë me Bajçinë e herë me Bradash. Apo, administrata i çon me Bradash, por populli i njeh me Bajçinë.