Që nga muaji e gusht, e deri më 15 shtator, në qytetin e Podujevës janë shqiptuar rreth 900 gjoba për qytetarët që s’i kanë respektuar masat anti-covid, raporton Llapi.info.
Kështu ka thënë komandanti i Stacionit Policor, Nijazi Jashari, në mbledhjen e sotme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).
“Gjatë muajit gusht deri më 15 shtator janë shqiptuar rreth 900 gjoba, që kanë të bëjnë me mos respektim të masave kufizuese dhe sigurisë së trafikut”, ka thënë Jashari.
Më tutje, lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, raportoi Komandanti i Stacionit të Policisë, Major Nijazi Jashari, i cili tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë dhe stabile.
Jashari duke raportuar për gjendjen e sigurisë tha po vazhdohet me planin operativ për respektim të masave anti-covid, dhe sigurisë në komunikacion.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se sot janë konfirmuar edhe 22 raste të reja me koronavirus në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Me këtë shifër të fundit, aktualisht në Llap tashmë janë edhe 662 raste aktive. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar dy viktima me COVID-19, kurse janë shëruar 191 pacientë.
Që nga fillimi i pandemisë, e deri më tani, numri i të infektuarve në Llap ka arritur në 7,132. Deri tash janë raportuar 86 viktima, kurse 6,384 pacientë janë shpallur të shëruar./Llapi.info