Këtë vit procesi mësimor nuk ka filluar ende në Kosovë, e shkak për këtë janë grevat e thirrura nga BSPK-ja.
Mësimdhënësit kërkojnë që deri në miratimin e Ligjit të Pagave të kenë rritje page prej 100 euro.
Këshilli i Prindërve të Kosovës ka qenë gjithmonë kundër kësaj greve, duke thënë se më së shumti dëmtohen fëmijët.
Madje ata paralajmëruan se nuk do t’i lejojnë fëmijët të shkojnë në shkolla kur do të ketë zëvendësim të orëve të humbura gjatë grevës.
Ky këshill ka publikuar një anketë ku kanë marrë pjesë 1800 qytetarë në lidhje me atë se çfarë duhet të bëjnë prindërit nga 12 shtatori.
Sipas kësaj ankete, ka rezultuar se 75 përqind e prindërve mendojnë se fëmijët duhet të dërgohen në shkolla.
12 përqind mendojnë se prindërit të shkojnë vetë në shkolla, kurse 13 përqind të mos bëjnë asgjë.
Këshilli i Prindërve ndër të tjera shton se këro rezultate duhet të jenë bazë që kjo situatë të zgjidhet sa më parë. /Zëri