Ajo çdo ditë zgjohet në ora 4:00 të mëngjesit. Puna e parë e saj është ndezja e zjarrit.

Prej 30 vitesh Rrushe Qorraj jeton vetëm në fshatin Drelaj të Rugovës.

E moshuara asnjëherë nuk ka mundur të largohet nga ky vend.

Në kasollen e saj prej druri 74 vjeçarja kalon katër stinët e vitit dhe aty e gjen qetësinë.

“Unë zgjohem herët dhe ora 4 nuk më gjen fjetur. Përgatis ndonjë ushqim të mirë çfarë vet dëshiroj”, tregon e moshuara për Dukagjinin.

Përkundër viteve mbi supe, Rrushja asnjëherë nuk lodhet duke u kujdesur për 15 bagëti.

“Gjithë ditën nuk futem brenda. Merrem me punët e shtëpisë dhe pastrimin e ambientit”.

Të kaluarën e kujton me shumë nostalgji. Thotë se kanë kaluar mirë me njëri-tjetrin edhe pse ishin shumë banorë.

E moshuara thotë se pos ceremonive të gëzimit edhe ceremonitë e vdekjes nuk janë si më parë.

Për fëmijët e saj që jetojnë në botën e jashtme ka dhënë një mesazh.

“Vdekja ka pasur një ceremoni të dinjitetshme. Tash më nuk ka. Djalit tim i kam thënë se unë po vdes por ju mos u mërzisni hiq. Mos më bëni as të shtata e as ceremoni tjera. As të pame e asgjë. Merri njerëzit dhe dërgoj në hotel e jepuni të hanë e të pinë. Si po veprojnë tash mos bëni. Shamijat e bardha janë dukur bukur. Tash [femrat] s’po merren vesh a janë gra a burra me ato flokë të lëshuara. Vijnë në dhoma dhe qeshin më zë. Ato nuk i kisha pranuar në shtëpi”, tregon më tej e moshuara për Dukagjinin.