Telashet familjare shpesh herë kalojnë muret e shtëpive, për shkak të eskalimit të situatës ku nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Kukajan të Dragashit, ku dy vëllezër janë rrahur mes vete.

Një 68-vjeçar dhe një 63-vjeçar u kapën me njëri-tjetrin dhe si pasojë e përleshjes përfunduan në spital, e më pas në Polici.

Sinjali mëson se ngjarja ka ndodhur në orët e mëngjesit, kur dy vëllezërit që jetojnë afër, patën fillimisht një zënkë. Konfliktit verbal dyshohet se i parapriu një mosmarrëveshje e 68-vjeçarit me kunatën e tij, gruan e vëllait 63-vjeçar.

Për pasojë, të dy u përfshinë në rrahje, duke e sulmuar njëri-tjetrin fizikisht, derisa intervenoi Policia.

Burimet thonë se dy palët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, hetimet kanë nisur në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.