Lokale - eSIMy

Një shifër e konsiderueshme parash të padeklaruara, të vlerësuara paraprakisht në 500 mijë euro, janë sekuestruar në një autobus që vinte nga Bari, në Portin e Durrësit.

Elidon Çela është shoferi dhe pronari i autobusit që po merret në pyetje.

Në dëshminë për policinë në momentin e ndalimit, Çela nuk ka dhënë asnjë shpjegim, por ka kërkuar avokat mbrojtës për të dhënë deklarimin.

“Kërkoj avokatin tim mbrojtës. Vetëm në prani të tij do të flas për policinë”, ka deklaruar shoferi.

Gjatë kontrollit të policisë kufitare paratë janë gjetur të fshehura në 6 qese plasmasi brenda strukturës metalike të autobusit.

“Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës.

Si rezultat i informacioneve dhe konrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro”, njofton policia.

Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë.

Në përfundim të veprimeve do të japim informacion të plotë.