Një 48 vjeçar nga Romaja e Prizrenit është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore në një fshat afër vendit ku ai banonte, përkatësisht fshati Kushnin. Dhunës fizike e plumbave, Ismet Smajli nuk mundi t’iu bëjë ballë, e kështu ndërroi jetë në spitalin rajonal të Prizrenit. Familjarët thonë se i ndjeri kishte sëmundje psiqike, por nuk ishte i rrezikshëm.
Jetonte në fshatin Romajë të Prizrenit, megjithatë rruga për në Kushnin ishte e njohur për të. Ismet Smajli kalonte shpesh andej, pasi që vizitonte bashkë me djalin e tij, familjen e gruas, e cila i kishte vdekur para disa vitesh.

Mirëpo pikërisht në këtë fshat, ai u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore. Dhunës fizike e plumbave nuk arriti t’iu shpëtojë.

Krahas asaj që shumë banorë po vështronin në vendin ku Smajli ishte në prag të vdekjes, ishin dy banorë të cilët i ofruan ndihmë.

Për T7, Imer Jadauti dhe Qerim Temaj treguan se gjendja e Ismet Smajlit ishte e rëndë. Ata madje u detyruan ta telefonojnë Policinë e Emergjencën, për të marrë leje ta transportojnë deri në Prizren.

“Edhe te spitali nuk na kanë pritë siç duhet, vetëm një polic ka qenë atje, nuk ka pasë as doktor as dikush që të na ndihmojë ta dërgojmë në emergjencë” thotë njëri nga dëshmitarët, i cili qëndroi momentet e fundit të jetës me Smajlin.

E Qerim Temaj tregoi se krahas gjendjes së rëndë shëndetësore, Ismet Smajli kishte vetëm një kërkesë; ta dërgonin te djali i tij në Romajë, i cili siç mëson T7, është me nevoja të veçanta.

Televizioni T7 gjatë së premtes ka qëndruar në familjen e viktimës. Vëllau i Ismetit, Imeri, tha se ai kishte probleme me shëndetin, por megjithatë jo në atë masë që ta konsiderojnë të rrezikshëm.

Imer Ismajli shprehet i tmerruar me gjendjen e vëllaut të tij.

“Edhe po të bënte ndonjë gjest jo të duhur, ata do të duhej ta qortonin atë, e edhe ne si familje, e jo ta sulmojnë e ta vrasin në mënyrë të tillë” thotë ndër të tjera ai.

Ndonëse Ismeti ishte i sëmurë, disa banorë thanë se ai nuk e shqetësonte askënd.

Rastin e vdekjes e ka konfirmuar gjatë ditës edhe Policia rajonale e Prizrenit.

“Fshati Kuzhnin-Has, Prizren 20.12.2018-18:02. Raportohet se në rrugë është gjetur pa shenja jete viktima mashkull K-Shqiptar. I njëjti është dërguar në emergjencë, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar se i njëjti është pa shenja jete. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, njoftoi policia përmes raportit 24 orësh.

E Admir Shala, nga Prokuroria Themelore ne Prizren, për T7, tha se deri tani nuk ka te arrestuar.

“Ne jemi t’u u marrë me rastin, t’u grumbullu informacionet e nevojshme nuk ka ende diçka konkrete. Trupi i viktimës është dërguar në autopsi. Policia është në fazën e grumbullimit të informacioneve, jemi në hapat fillestarë të hetimeve. Viktima është rreth 49-50 vjeç” tha Shala.

Smajli banonte prej vitesh vetëm me djalin e tij.