Lokale - eSIMy

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka regjistruar sot edhe 48 raste të reja me virusin korona, pas testimit të 645 mostrave, raporton Llapi.info.

Sipas IKSHPK-së, gjatë 24-orëve të fundit në Kosovë kanë vdekur edhe tre pacientë që kanë qenë të prekur me koronavirus, duke bërë kështu që numri i viktimave të arrijë në 625.

Siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga Instituti, tri raste janë nga Komuna e Podujevës. Rastet e reja janë nga fshatrat; Peran, Lupç i Poshtëm dhe Gllamnik

“Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 10 raste, komuna Mitrovicë 5 raste, komuna Pejë 5 raste, komuna Suharekë 5 raste, komuna Drenas 4 raste, komuna Gjilan 4 raste, komuna Podujevë 3 raste, komuna Prizren 3raste, komuna Klinë 2 raste, komuna Vushtrri 2 raste dhe me nga një rast komunat Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec dhe Viti”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sot në Kosovë janë shëruar 142 pacientë, duke çuar në total numrin e tyre në 13.420.

Bazuar në të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 15.520. Ndërkaq, raste aktive, sipas të dhënave të IKSHPK-së janë 1.475./Llapi.info