Lokale - eSIMy

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka regjistruar të dielën edhe 453 raste të reja me virusin korona, pas testimit të 3.680 mostrave, raporton Llapi.info.

Brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste (83, 76, 70 vjeç), Skenderaj 1 rast (58 vjeç).

Siç ka njoftuar IKSHPK, sot në Podujeva pozitivë për koronavirus kanë rezultuar 22 persona. 16 prej tyre në qytet, 3 në Dumnicë të Epërme, 2 në Shajkoc dhe një në fshatin Llapashticë e Epërme.

Ditët e fundit, Kosova ka regjistruar rritje të numrit të rasteve me koronavirus. Autoritetet kanë bërë apel që qytetarët të respektojnë rregullat kryesore kundër pandemisë: mbajtjen e maskave, mbajtje e distancës dhe higjienën personale.

Në të kundërtën, nëse trendi i infektimeve ditore vazhdon, autoritetet qendrore kanë paralajmëruar ashpërsim të masave.

Që prej 13 marsit, 2020 e deri më 28 shkurt, 2021, Kosova ka regjistruar 69.230 raste me koronavirusin e ri. Prej tyre, 1.599 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërkaq, 59.849 pacientë janë shëruar. Raste aktive janë 7.782./Llapi.info