Rasim Fejza është rikthyer sërish si shef i Prokurimit Publik në Komunën e Podujevës, edhe pse ndaj tij është ngritur kallëzim penal nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Llapi.info.
Ndaj Fejzës, Lëvizja Vetëvendosje pati ngritur kallëzim penal, teksa të njëjtit e patën akuzuar për kurdisje të tenderëve dhe nepotizëm.
Arsyet pse Fezja është kthyer në pozitën e shefit të Prokurimit Publik në Podujevë, po del të jetë për mungesë të certifikimit të zyrtarëve tjerë.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, është shprehur se kanë bërë kërkesë për certifikimin e zyrtarëve të tjerë, ndërkohë që ka deklaruar se Fejza do të jetë në atë pozitë përkohësisht. Zhitia ka thënë se rikthimi i Fejzës në Zyrën e Prokurimit Publik është bërë me qëllim që të mos bllokohen projektet e parapara së realizuari.
“Kur kemi ardhur e kemi gjetur Rasim Fejzën si shef të Prokurimit. E kemi larguar dhe e kemi transferuar si zyrtar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Më pas, në atë pozitë është emëruar Hamide Jashari. Por, ku ka ardhur koha që të nisin projektet, e njëjta ka kërkuar që liroj atë pozitë për shkak të ngarkesës. Për këtë vend i kemi pasur veç 3 zyrtarë, dy nga këto janë gra që s’kanë pranuar të jenë në këtë pozitë, me ç’rast ne për të mos u bllokuar projektet e kemi kthyer Rasim Fejzën si shef të prokurimit, por i përkohshëm, pasi ne i kemi çuar kërkesë që të certifikohen edhe tre zyrtarë tjerë për pozitën e shefit të Prokurimit në Podujevë. Deri atëherë, Fejza do të jetë si ushtrues detyre në këtë pozitë”, është shprehur ai për Llapi.info.
Edhe vetë Fejza, në një deklaratë për KOHËN, ka thënë se është rikthyer si shef i Prokurimit të Publik në mënyrë që të mos stagnojnë projektet.
“E kanë shfuqizuar transferin dhe më kanë kthyer në vendin ku kam qenë. Mendoj se e kanë bërë që punët të ecin dhe të mos stagnojnë. Unë jam i certifikuar dhe sigurisht e kanë paraparë që nuk është bash ashtu ajo farë pune (kurdisës i tenderëve v.j.)”, ka thënë Rasim Fejza, shef i Zyrës së prokurimit publik në Podujevë.
Në anën tjetër, ish-sekretari organizativ i VV-së, tani drejtor i Drejtorisë së Administratës, Bahri Selimi, në tetor të vitit të kaluar, pati akuzuar Fejzën për shkelje flagrante të Kodit etik dhe Ligjit për Prokurim Publik. Ai ka thënë se Fejza, sipas tij, ka bërë presion ndaj një pronari të kompanisë që të tërhiqej nga një tender, edhe pse ishte më i lirë se i preferuari i Fejzës. Vetë Fejza e ka quajtur bisedë familjare negocimin e tij me operatorin ekonomik.
Duke u munduar të shfajësohet për bisedën e publikuar nga Vetëvendosje, ai ka thënë se atëkohë nuk ka qenë shef i Zyrës së Prokurimit, por ka punuar në Drejtorinë për Shërbime Publike./Llapi.info






