Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka mbajtur sot ceremoninë e betimit për 350 rekrutë të rinj, të cilët pas përfundimit të trajnimit bazik nëntëjavor në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, i janë bashkuar me nder radhëve të FSK-së.
Ceremonia solemne u zhvillua me pjesëmarrjen e Komandantit të FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe civilë, përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Rekrutët dhanë betimin solemn para flamurit dhe komandës së FSK-së, duke shprehur përkushtimin e tyre për t’i shërbyer me nder Republikës së Kosovës, për të mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe vlerat kushtetuese të vendit.
Komandanti Jashari uroi rekrutët për përfundimin e trajnimit dhe theksoi rëndësinë e këtij akti për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së, në rrugën drejt zhvillimit të një ushtrie moderne dhe profesionale.