Një incident ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:35 në një nga kafenetë në komunën e Istogut, ku një person dyshohet se i ka shkaktuar telashe punëtores së lokalit në fjalë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se punëtorja e kafenesë ka deklaruar se i dyshuari 35-vjeçar kishte marrë pije pa lejen e saj e më pas e kishte sulmuar duke e gjuajtur me çelësa dhe duke e shtyrë.

Për t’i dalë në mbrojtje reagoi pronari i lokalit, i cili sipas 35-vjeçarit ka nxjerrë një armë me të cilën e kishte kërcënuar dhe e kishte nxjerrë jashtë hapësirave të kafenesë të dyshuarin.

Përpos klientit që dyshohet se sulmoi punëtoren e kafenesë, Policia ka shoqëruar në stacion edhe pronarin e lokalit i cili u intervistua në cilësinë e të dyshuarit, pas deklaratës së 35-vjeçarit i cili tha se pas incidentit u kërcënua me armë.

Pronari i kafenesë ka mohur të ketë nxjerrë armën para klientit të tij, me ç’rast njësitet policore kanë kontrolluar lokalin, por nuk kanë gjetur asgjë të dyshimtë. Ndërsa në veturën e tij janë gjetur 10 fishekë, por arma nuk është hasur.

Ndaj dy të dyshuarve, prokurori ka marrë vendim që të iniciohen rastet ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.