Gjykata Themelore në Gjakovë ka dënuar me nga 18 dhe 16 vjet të akuzuarit T.Zh. dhe N.Zh. për vrasjen e Nuredin Kastratit, në mars të vitit 2016.

I pandehuri T.Zh. është shpallur fajtor dhe është dënuar me 18 vjet burgim, ndërsa i pandehuri tjetër N.Zh. është dënuar me 16 vjet burgim, në të cilin dënim do t’ju llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 26 mars 2016.

Të pandehurit janë obliguar që të paguajnë shpenzimet procedurale veç e veç në shumën prej dyqind (200) euro, shpenzimet e paushallit gjyqësorë në shumën prej treqind (300) euro si dhe shumën prej pesëdhjetë (50) euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit, ka njoftuar gjykata.

Sipas njoftimit, dy të akuzuarit kishin vrarë Kastratin në afërsi të varrezave në fshatin Xërxë të Rahovecit, për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëhershme.

“Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarve T. Zh. dhe N. Zh. gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike të akuzuarit në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.K. Të pandehurit akuzohen se në mars të vitit 2016 në magjistralen Prizren-Gjakovë, në afërsi të varrezave në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta tashmë të ndjerin N. K. nga Prizreni si shkak i disa mosmarrëveshjeve të mëhershme që kishin të pandehurit dhe i ndjeri”, thuhet në njoftim të Themelores në Gjakovë.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.