Lokale - eSIMy

Pesë persona nga Komuna e Podujevës kanë rezultuar mbrëmë pozitivë për COVID-19, raporton Llapi.info.

Të njëjtit sot janë vetizoluar, ka bërë të ditur Komuna e Podujevës nëpërmjet një komunikate për medie.

“Shtabi Emergjent i Komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19, në takimin e sotëm ka diskutuar për veprimet që duhet të ndërmerren pas raportimit të pesë rasteve të reja me të infektuar me koronavirus. Në takimin e sotëm të Shtabit Emergjent, të cilin e udhëhoqi nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, u tha se pas testimeve të kryera në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK të hënën kanë rezultuar pesë persona të infektuar me COVID-19 nga komuna e Podujevës. Katër raste janë nga një familje e fshatit Dobërdol dhe burimi i infeksionit është kontakti me një person nga Komuna e Prishtinës, kurse rasti i pestë është një qytetar i Podujevës, i cili dy ditë më parë ka ardhur nga Austria. Menjëherë pas konfirmimit të rasteve janë ndërmarrë veprimet e nevojshme, janë kontaktuar familjet e të infektuarve dhe është bërë dezinfektimi i shtëpive ku banojnë ata”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari ka kërkuar  që të ndërmerren masat konform me udhëzimet e IKSHPK, të vetizolohen personat e prekur me COVID-19 dhe të kryhen kontrolle mjekësore në familjet e tyre.

“Gjatë takimit të sotëm u ngrit si shqetësim edhe çështja e pjesëmarrjes së qytetarëve në ceremonitë mortore dhe organizmit të pritjes për ngushëllime. Shtabi komunal apelon te qytetarët, që pavarësisht lehtësimit të masave, të vazhdohet me respektimin e rekomandimeve dhe masave mbrojtëse nga IKSHPK, të shmangen tubimet dhe të ruhet distanca sociale. Në komunën e Podujevës, që nga shpallja e pandemisë. deri më tani janë regjistruar gjithsej 14 raste të personave të infektuar më COVID-19, prej tyre 8 pacientë janë shëruar, kurse një qytetar i infektuar ka ndërruar jetë”, thuhet tutje./Llapi.info