Lokale - eSIMy

Sot janë bërë 30 vjet nga rënia e dëshmorit të kombit Bedri Sokoli, njofton Llapi.info.

Sokoli nga fshati Llugë të Komunës së Podujevës ra më 1 nëntor të vitit 1989 në demonstratat gjithë popullore në Prishtinë, kundër regjimit të Millosheviqit.

Pikërisht atë ditë, Sokoli ndodhej në mesin e demonstruesve në Prishtinë, kur është goditur me armë zjarri nga policia serbe.

Në 30-vjetorin e rënies në demonstratat popullore të nëntorit të vitit 1989, do të përkujtohet dëshmori i kombit, Bedri Sokoli.

Pas aktiviteteve me homazhe në vend-rënien e dëshmorit dhe te pllaka përkujtimore, më 1 nëntor 2019, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, në orën 17.00, do të mbahet Akademia përkujtimore në nderim të heroit Bedri Sokoli./Llapi.info