Lokale - eSIMy

Sot janë bërë 23 vjet nga shpërthimi i dy bombave në qendër të qytetit të Podujevës, njofton Llapi.info.

23 vite më parë bombat që shpërthyen ishin të vendosura në kontejnerë në vetëm pak minuta. Nga eksplodimet që ndodhën rreth orës 13:00 mbetën të vdekur 5 persona dhe rreth 60 të tjerë të lënduar, disa prej tyre rëndë. Ishte ditë pazari.

Në pamjet që u publikuan menjëherë pas eksplodimit, shiheshin ushtarë serbë përpara mbeturinave pas shpërthimit.

Nga kjo ditë, e deri me fillimin e bombardimeve të NATO-s, u paralizua çdo lëvizje. Kalimtarë shiheshin shumë pak. Menjëherë pas këtyre shpërthimeve, qytetarë llapjanë vendosën të bënin rojë gjatë natës për t’i përcjellë paramilitarët serbë. Vëzhgimi i tyre u bë përgjatë 11 ditëve, respektivisht deri më 24 mars të vitit 1999.

Duhet theksuar se për këtë eksplodim patën raportuar OSBE, gazeta ndërkombëtare dhe zyrtarë të lartë amerikanë, këta të fundit, të cilët dënuan ashpër këto akte. Përveç dy shpërthimeve në Podujevë, një tjetër ndodhi edhe në Mitrovicë./Llapi.info