Janë bërë 22 vjet nga masakra në fshatin Popovë të Komunës së Podujevës, ku u vranë 11 civilë shqiptarë dhe u plagosën mbi 40 të tjerë, shkruan Llapi.info.

Sulmi ajror ndodhi në prill të vitit 1999, nga ku viktima ishin kryesisht fëmijë. Tmerrin e asaj dite s’e kanë harruar ata që ishin vetëm pak metra larg masakrës.

“Kanë qenë miga të Serbisë bombardues. Kur kemi ardhur në këtë lagje këtu kemi parë që kanë bombarduar këtu. I kemi organizuar varrimin e të vrarëve, por gjatë varrimit forcat serbe kanë gjuajtur me raketa”, përkujton banori Dalip Hoxha.

E Lirak Çelaj, i cili në atë kohë kishte qenë duke jetuar në fshatin Majac në shtabin e UÇK-së, ka thënë se shpërthimet kanë qenë të mëdha.

“Ne i dëgjuam shpërthimet e bombave që i hodhën nga avioni dhe pas 1-2 minutave kemi marrë informatën që në Popovë janë sulmuar disa shtëpi. Jemi nis me disa bashkëluftëtar për në vendin e ngjarjes dhe atje kemi parë tmerrin, ku kishte shumë të plagosur”, thotë Çelaj për T7.

Çelaj ka thënë se shumica e viktimave kanë qenë fëmijë, teksa ka kujtuar edhe zërat e familjarëve gjatë kësaj masakre./Llapi.info