Lokale - eSIMy

212 motoristë nga Kosova vizituan qytetin e Elbasanit në kuadër të turit shëtitës “Të jemi të bashkuar dhe pa kufij”. Pasioni për shpejtësinë i ka bashkuar prej kohësh anëtarët e klubit “Shqiponjat”, dhe këtë emocion duan të përcjellin.

Pasioni për shpejtësinë dhe adrenalina që të dhuron shpejtësia, ka bërë bashkë 212 motoristë nga Kosova të cilët në kuadër të turit që po zhvillojnë në trojet shqiptare, patën ndalesën e radhës në Elbasan.

Zhurma elektrizuese dhe xhirmi i gomave pushtoi sheshin “Gensher”, ndërsa sytë kuriozë të qytetarëve shoqëruan të gjithë xhiron e tyre. Kryetari i klubit “Shqiponjat”, Safet Baftija, tha se “Të jemi të bashkuar dhe pa kufij” ka nisur në Ferizaj dhe të do të vijojë kudo në Shqiptari.

Kemi filluar këtë rrugë që nga e premtja nga Ferizaji, kaluam në Tetovë. Sot kaluam nga Tetova-Gostivari-Kërçova. Vëllezërit tanë na pritën këtu dhe sot do të nisemi për Tiranë. Çdo kund që kemi shkuar kemi vizituar heronjtë tanë kombëtarë.

Këta motoristë kanë qenë më herët edhe në qytete të tjera ku janë pritur nga drejtuesit e bashkive, ndërsa kanë gjallëruar sheshet kryesore. Nga Elbasani, ata dje shkuan drejt kryeqytetit ku pritet t’u bashkohen edhe 100 të tjerë për të përjetuar emocione mbi dy rrota.