Sot janë bërë 21 vjet nga dita kur Podujeva u çlirua përfundimisht nga pushtuesit dhe okupatorët serbë, njofton Llapi.info.
Më 19 qershor të vitit 1999 për herë të parë forcat e NATO-s hynë në qytetin e Podujevës, për t’i larguar kështu forcat paramilitare serbe nga territori i kësaj komune.
NATO-ja u bllokoi rrugën serbëve për t’i dëbuar ata në vendin nga ku kishin ardhur. Në po atë ditë, të rinj e të vjetër festonin ditën e çlirimit.
Ndërhyrja e forcave paqeruajtëse në Kosovë, konsiderohet një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e këtij vendi. Kjo pasi hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre të shqiptarëve të dëbuar.
Për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, Komuna e Podujevës ka pezulluar aktivitetet me të cilat ishte paraparë shënimi i kësaj dite.
Ndërkaq, në fshatin Revuçë të Podujevës do të bëhet zbulimi i monumentit të lirisë me fillim nga ora 14:30, aktivitet ky nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Po ashtu, në shënimin e kësaj dite do të nisë për herë të parë në Llap edhe ndezja e Flakadanëve të Lirisë. Sipas një njoftimi, aktiviteti të filloj nga ora 20:10./Llapi.info