Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doruntinë Maloku është deklaruar rreth gjendjes së rëndë energjetike në komunën e Podujevës.

Ndërprerjet e shpeshta që po bëhen në këtë komunë nga KEDS-i, sipas Malokut, duhet të ndërpriten sa më shpejtë.

“Edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës, Podujeva vazhdon të përballet me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike. Kjo praktikë diskriminuese ndaj llapjanëve duhet të marrë fund menjëherë! KEDS-i duhet të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që Llapi të trajtohet njëjtë si komunat e tjera”, ka shkruar ajo në “Faceobok”.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme, lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe shefi i qeverisë. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është shprehur i shqetësuar me ndërprerjen e shpeshtë të energjisë elektrike.

Haradinaj kërkoi nga ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka që të sqarojë arsyen e ndërprerjes së energjisë me theks të veçantë në Podujevë e që këtë kohë të ftohtë qytetarët po ballafaqohen me mungesë të rrymës.

Por pyetja e Haradinajt mbeti pa përgjigje pasi që në mbledhjen e Qeverisë mungoi ministri Lluka.