Gjykata e Lartë Rajonale e Dyseldorfit ka dënuar me nëntë vjet burgim një 18-vjeçar nga Kosova, i cili u shpall fajtor për dy raste të tentativës për vrasje dhe lëndim të rrezikshëm trupor. Vendimi u shpall të martën, më 22 shtator.
Sipas gjykatës, i riu, i cili në kohën e ngjarjes ishte 17-vjeç, ishte radikalizuar përmes internetit dhe kishte zhvilluar qëndrime islamiste. Ai kishte sulmuar fillimisht një kujdestar shkolle, ndërsa më pas kishte plagosur me thikë mësuesen e tij në një shkollë profesionale në Essen.
Mësuesja kishte pësuar plagë në kraharor, të cilat i kishin rrezikuar jetën. Më pas, i riu ishte nisur drejt Sinagogës së Vjetër në Essen, me synimin për të sulmuar persona hebrenj. Pasi e kishte gjetur objektin të mbyllur, ai kishte sulmuar një person të pastrehë në një stacion autobusi, duke e plagosur rëndë.
Policia e kishte ndaluar më vonë në një park, pasi ai kishte nxjerrë thikën. Gjatë ndërhyrjes, një pjesëtar i policisë e kishte qëlluar me armë, duke e plagosur rëndë.
18-vjeçari i ka pranuar veprat. Sipas tij, sulmi ndaj mësueses ishte nxitur nga pretendimi se ajo kishte fyer profetin Muhamed.
Gjykata ka urdhëruar që ai të vendoset në një institucion për terapi sociale. Sipas mediave gjermane, për shkak të vlerësimit se mund të kryejë vepra të tjera të rënda penale, nuk përjashtohet as mundësia e ndalimit preventiv pas përfundimit të dënimit.
Vendimi ende nuk është i formës së prerë.






