Lokale - eSIMy

Ka shkuar në 18 numri i rasteve aktive me virusin korona në Podujevë, pas konfirmimit të shtatë rasteve të reja gjatë së mërkurës, raporton Llapi.info.

Rastet e reja janë raste kontakti dhe të gjithë janë pjesëtarë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK).

Këtë e ka konfirmuar për Llapi.info epidemiologia e QKMF-së në Podujevë, Bedrie Rama, e cila është pjesë e Shtabit Emergjent. Burimi i infeksionit, sipas Ramës, është një koleg i tyre me vendbanim në Vushtrri.

“Shtatë raste të reja me COVID-19 nga Podujeva janë konfirmuar. Të njëjtit janë testuar në Prishtinë dhe janë pjesëtarë të FSK-së. Sipas informatave, të njëjtit janë infektuar nga një koleg i tyre nga Vushtrria”, ka thënë Rama, duke shtuar se tashmë ka nisur gjurmimi i kontakteve të personave që janë infektuar me virusin korona.

Sipas Ramës, me këto raste të reja ka shkuar në 18 numri i rasteve aktive me COVID-19. Ajo ka apeluar tek qytetarët që t’i zbatojnë masat parandaluese të COVID-19.

Në takimin e mbajtur të Shtabit Emergjente, u tha se policia dhe inspektorët komunalë të koordinojnë aktivitetet në teren dhe të kryejnë inspektime të vazhdueshme në lokalet dhe objektet hoteliere, dyqane e biznese të ndryshme, në mënyrë që të përcjellin respektimin e masave mbrojtëse, distancën sociale dhe bartjen e maskave.

Shtabi komunal apelon te qytetarët, që pavarësisht lehtësimit të masave, të vazhdohet me respektimin e rekomandimeve nga IKSHPK dhe MSH, duke aplikuar masat mbrojtëse, shmangien e vizitave dhe tubimeve të panevojshme dhe ruajtjen e distancës sociale.

Në Kosovë ka shkuar në 1833 numri i të infektuarve, ndërkohë që të mërkurën janë konfirmuar 77 raste të reja.

Duhet përkujtuar se rasti i parë me virusin korona në Podujevë ishte konfirmuar më 15 mars./Llapi.info