Foto ilustrim

Janë bërë një vit kur familja B., nga fshati Gërdofc i Podujevës, kanë mbetur të izoluar, pasi kryefamiljari i tyre vrau djalin e axhës. Më së keqi nga kjo situatë po e pëson i riu 17 vjeçar, L.B., i cili qe një vit është izoluar duke u ngujuar në katër mure.

Indeksonline ka marrë rrëfimin e të riut dhe dajës së tij. Ata tregojnë se janë ankuar në organet përgjegjëse të sigurisë e drejtësisë, mirëpo, sipas tyre, përgjigjet ishin negative. Kështu , shpresa e vetme ka mbetur tek Qeveria e Republikës, konkretisht Ministria e Drejtësisë.

Por, cila është situata dhe emocioni i kësaj familje?

Rrjedha e mëtutjeshme e jetës së familjes së dorasit mori tatëpjetën në kushte skajshmërisht të vështira ekonomike, sëmurjen e kryefamiljares dhe qëndrimit nëpër institucione shëndetësore.

Goditja më e rëndë kësaj familje iu dha kur ata filluan të pranonin kërcënime nga të afërm të viktimës se do ta marrin hakun respektivisht do të vrasin L.B djalin e mitur të familjes së dorasit (atëkohë 15 vjeçar).

Të ndjerë të rrezikuar dhe të frikësuar për jetën e tyre, tashmë kryefamiljarja u detyrua të marr 4 fëmijët e saj (djalin dhe vajzat) të lë pas shtëpinë dhe jetën që kishin njohur deri atëherë, dhe të strehohet në shtëpinë e vëllait të tij M.B.

Për çështje sigurie ata u detyruan të ndërrojnë sërish vendbanim, duke u vendosur në një banesë me qira, ani pse vështirë e përballueshme.

L.B u detyrua të ndërpres shkollimin, dhe të filloj një jetë të re, të imponuar, jetë kjo brenda katër mureve, jetë me kujtime të së kaluarës dhe pa shpresa për të ardhmen.

Të gjendur pa zgjidhje familja i drejtohet policisë së Kosovës, përgjigjja që morën ishte një “shuplakë në fytyrës”.

Sipas dajës së tyre, policët hetues të rastit Z.H. dhe B.A., të njoftuar me faktin se ka një familje të ngujuar, neglizhuan në tërësi duke mos lëshuar asnjë dokument apo raport me arsyetimin se nuk ka rrezik për hakmarrje.

“Nuk mund të garantojmë dhe as të ofrojmë mbrojtje”, ishte përgjigja që morën nga PK-ja.

Mirëpo, në një situatë të tillë të pashpresë familja kontaktoi përmes telefonit edhe me Zyrën e Avokatit të Popullit, të cilët pasi dëgjuan rastin, sipas tyre, u përgjigjën duke thënë: “Zoti ju ndihmoftë juve dhe familjen”.

Pasojat e këtij krimi nuk po i bartë më vetëm kryerësi, por dhe një djalë i ri i pa implikuar në ngjarje, viktimë e një mentaliteti të ndryshkur.

Një djalë që po kërkon ndihmë për të dal nga ajo dhomë, që nuk ngjanë vetëm me burgun, por ngjanë me një kafaz që ia vodhi ëndrrat, dëshirat dhe shpresat për jetë.

Një i mitur që po vuan dënimin e një krimi të cilin nuk e ka kryer.

17 vjeçari “mëkatin” e vetëm e ka që është i biri i një personi që bëri një zgjedhje të gabuar në një moment të jetës së tij, moment ky që po determinon të ardhmen e një familje të tërë.

Përgjegjësia penale është individuale, dhe si e tillë nuk ka drejtësi që lejon që ajo ti mveshet dikujt tjetër e aq më pak një fëmije të pafajshëm.

Me datë 18 tetor, 2021 u vra një person, pati një vdekje faktike, po me këtë datë u vra një familje e tërë e cila shpresën e fundit e sheh ndihmën e shoqërisë dhe reagimin shtetëror. /Indeksonline/