Lokale - eSIMy

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën ka shpalosur vendimin lidhur me dyshimet për manipulime me çmime nga kompanitë e derivateve të naftës.

Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, deklaroi se kanë marrë vendim që për shkak të shkeljes së dispozitave të konkurrencës në treg, 14 kompani të gjobitën me 4,040,450.78 euro.

Sipas tij, këto kompani kanë manipuluar me çmimet e naftës.

“AKK-ja ka marrë vendim përfundimtar për çmimet e derivateve të naftës. Hetimi ka nisur në vitin 2019 ku janë nisur dyshimet se operatorët nuk kishin vepruar si në vitin 2018. Dyshimi është ngritur se mos kemi të bëjmë me sjelljen e konkurrencës ose ndonjë marrëveshje e ndaluar për këtë fushë. Kompanitë që kanë qenë në hetim e kanë çrregulluar konkurrencën në treg, ato kanë kryer shkelje të dispozitave të konkurrencës”, ka thënë ai.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, Autoriteti i Konkurrencës ka urdhëruar ndërmarrjet në procedurë që ta ndalojnë çdo veprim të mëtutjeshëm i cili ka të bëjë me përcaktimin e çmimeve në mënyrë të bashkërenduar, nëpërmjet të çfarëdo marrëveshje apo bashkëpunimi tjetër joformal i cili shkon në dëm të konsumatorëve, si dhe çdo aktivitet biznesor i cili e çrregullon konkurrencën në tregun përkatës.

Prestreshi ka thënë se sa i përket dy vendimeve liruese (për kompanitë BLU OIL Shpk , KASTRATI GROUP Shpk), kjo ka ndodhur meqë gjatë shqyrtimit të fakteve, është konstatuar se me aktivitetin afarist të këtyre kompanive nuk janë rrezikuar përfitimet të cilat konkurrenca efektive ju sjell qytetarëve (konsumatorëve dhe tatimpaguesve.