Lokale - eSIMy

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se sot janë konfirmuar edhe 126 raste të reja me koronavirus në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.

Me këtë shifër të fundit, aktualisht në Llap tashmë janë edhe 1.032 raste aktive, njëherësh kjo është shifra më e lartë e rasteve aktive në Podujevë që nga shpërthimi i pandemisë.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar sot edhe 2.541 raste të reja me virusin korona, pas testimit të 12.618 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë, raporton Llapi.info.

Siç ka njoftuar ky Institut, brenda 24-orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me COVID-19, derisa janë shëruar 604 pacientë.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 134,818 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,370 kanë vdekur, kurse janë shëruar deri më sot 108,603. Në total numri i rasteve aktive është 23.854./Llapi.info