Sot shteti i Shqipërisë mbush 107 vjet nga shpallja e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë erdhi pas përpjekjeve gati 500 vjeçare të popullit shqiptar nga perandoria osmane, e cila pushtoi trojet shqiptare, 10 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, më 17 janar 1468.

E në ditën ku do të duhej të festohej 107 vjetori i shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria gjendet në një gjendje të jashtëzakonshme, shkaku i tërmetit me magnitudë 6.4 shkallë të Rihterit, që goditi të martën vendin.

Nga ky tërmet deri më tash kanë humbur jetën 37 persona, ndërkaq janë lënduar mbi 600 të tjerë.

Përveç viktimave, tërmeti shkaktoi edhe dëme të mëdha materiale ku shumë familje kanë mbetur pa kulm mbi kokë.

Kryeministri Edi Rama, uroi shqiptarët me rastin e 107 vjetorit të Pavarësisë, ku shkroi se: “Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit”.