Edhe pas 19 viteve të përfundimit të luftës në Kosovë, familje të shumta vazhdojnë të jenë në pritje për më të dashurit e tyre.

Aktualisht janë edhe 1650 persona të zhdukur, fati i të cilëve nuk dihet ende.

Në një prononcim për Indeksonline, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj thotë se Qeveria përmes mekanizmave kompetent është duke vazhduar me angazhimin dhe përpjekjen që familjet të mësojnë sa më parë për fatin e të dashurve të tyre.

“Aktualisht janë edhe 1650 persona të zhdukur. Qeveria e Republikës së Kosovës , përmes mekanizmave kompetent është duke vazhduar me angazhimin dhe përpjekjen që familjet të mësojnë sa më parë për fatin e me të dashurve të tyre”, ka thënë Gjetaj.

Më tej, ka shtuar se ata presin që shumë shpejt të fillojnë edhe gërmimet në Serbi, me përkrahjen e Bashkësisë Ndërkombëtare.

“Tani kemi filluar me punimet në lokacione të ndryshme në Kosovë, presim që me përkrahjen e Bashkësisë Ndërkombëtare të fillojnë gërmimet në lokacione edhe në Serbi. Shumë shpejt do të fillojmë edhe me plotësimet e Ligjit”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është zotuar se Qeveria e Kosovës nuk do të ndalet se kërkuari trupat e personave të pagjetur gjatë luftës 1998-99 dhe që shteti serb, siç ka thënë ai, duhet të përgjigjet dhe të japë llogari për këtë.

Haradinaj, nën patronatin e të cilit është organizuar “Java e të Pagjeturve”, ka thënë se plagët e luftës së fundit nuk mund të mbyllen dhe nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa ndriçimin e plotë të vërtetës së luftës në Kosovë.

“Java e të Pagjeturve na rëndon dhe na sjellë vuajtje dhe dhimbje për mijëra qytetarët, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur nëntëmbëdhjetë vjet pas lufte. Ju uroj të keni forcën, kurajon dhe të shohin përpara. Të jemi bashkë dhe t’i dalim përballë kësaj teme që është më e dhimbshme që ka Kosova, plaga e luftës”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe familjarë të personave që mungojnë, kanë kërkuar nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare që t’i bëjnë presion Serbisë për zgjidhjen e këtij problemi.

Bajram Qerkini, kryetar i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, ka thënë se Serbia e di se ku gjenden trupat e personave të pagjetur.