Mediumi anglez i sportit, BeSoccer, e ka publikuar një artikull duke e lavdëruar yllin me origjinë shqiptare të Liverpoolit, Xherdan Shaqirin, ku shkruan se ai ia ka dëshmuar vlerën e tij tifozëve të Liverpoolit.
Shaqiri e dëshmoi veten sapo u transferua në Liverpool gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo tani ai ka filluar ta dëshmojë se mund të jetë një nga figurat më të rëndësishme për rrugëtimit drejt titullit të Premierligës, shkruan BeSoccer, transmeton Gazeta Express.
Zvicerani arriti ta sigurojë një transferim në Liverpool nga Stoke City para pesë muajve, pasi ish-klubi i tij ra nga Premierliga në Championshit. Shaqiri kishte qenë golashënuesi më i mirë në skuadrën e Stoke Cityt me tetë gola.
Fillimisht ishte vënë në dyshim nëse Shaqiri e kishte aftësinë dhe etikën e punës që kërkohet për të luajtur për një trajner si Jurgen Klopp. Megjithatë, në një intervistë pas njërës nga ndeshjet e këtij sezoni, Klopp kishte thënë se Shaqiri i ka kaluar pritshmëritë e tij.
27-vjeçari e dëshmoi veten qysh në ndeshjen e parë për klubin e tij të ri, kur e shënoi një gol në stilin gërshërë në ndeshjen kundër Manchester Unitedit në korrik. Vetëm disa ditë para se ta shënonte këtë gol, Shaqiri kishte bërë të ditur se ai ndiente që me Liverpoolin mund të fitonte gjithçka në botë.
Kloppi provoi ta luante Shaqirin në mesfushë në ndeshjen kundër Southamptonit në shtator, mirëpo e zëvendësoi sapo përfundoi pjesa e parë, pasi që mendonte se skuadra e tij ishte më e hapur se që duhej.
Edhe tani, shpresat e Shaqirit për ta zënë një vend në formacionin e parë janë që ai ta zëvendësojë nga një tre lojtarët e sulmit. Pasi që Shaqiri preferon të luajë në krahun e djathtë, përkundër që luan me këmbën e majtë, fillimisht dukej si ai dëshiron t’ia zë vendin e Mohamed Salahut.
Megjithatë, forma jo e mirë e Roberto Firminos në fillim të këtij sezoni ka bërë që Salah të zë vendin e qendërsulmuesit dhe Shaqiri ta zë vendin e tij në krahun e djathtë të sulmit.
Duke filluar nga fitorja kundër Fulhamit më 11 nëntor, zvicerani ishte titullar për pesë ndeshje radhazi me këtë formacion. Të gjitha këto ndeshje Liverpooli i fitoi, mirëpo pastaj Shaqiri mbeti në stol për ndeshjen kundër Manchester Unitedit.
Në minutën e 70-të, kur ndeshja ishte ende 1-1, Shaqiri u fut në lojë dhe i shënoi dy gola për t’ia siguruar kështu fitoren dhe vendin e parë në tabelën e Premierligës skuadrës së Jurgen Kloppit.
Talenti i tij, si dhe aftësia për të qenë i saktë nga goditjet e lira, bëjnë që ai ta ketë mundësinë për të qenë vendimtar në ndeshej të vështira gjatë këtij sezoni. Dhe Kloppi ka bërë të ditur se Shaqiri do ta ketë mundësinë ta bëjë këtë gjë.
“Ai është dikush që bën një dallim të madh në skuadër sepse mund të luajë në shumë pozita të ndryshme brenda sistemit tonë”.