Deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj, punën 100-ditëshe të Qeverisë Kurti 2 e ka quajtur të dështuar, pasi sipas tij, më tepër është punuar për shkarkimin e bordeve dhe rehatimin e bashkëpartiakëve sesa me realizimin e premtimeve të dhëna për qytetarët.

Ai në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet mbi punën 100-ditore, i ka quajtur premtimet e Qeverisë Kurti një farsë për qytetarët

“Votuesit e Vetëvendosjes e dinë që nuk jeni ata që keni proklamuar, që ju keni qenë dhe vazhdoni të jenë një farsë e bukur e kemi kuptuar të gjithë tashmë në total deri më tani kjo qeveri ka marrë 144 vendime në tërësi. Nëse e krahasojmë me qeveritë e kaluara, numri i vendimeve të kësaj qeverie janë shumë më të vogla për të njëjtë kohë sesa numri i vendimeve nga qeveritë e kaluara. Nga 144 vendime të miratuara, shumica prej tyre janë për ngarkime dhe shkarkime të bordeve përmes të cilave keni arritur të rehatoni shumë partiakë tuaj. Çka ka ndryshuar jeta e qytetarit me këto 144 vendime? Asgjë”, tha Lekaj.

Lekaj tha se kryeministri Kurti nuk po raporton në Kuvend për procesin e dialogut me Serbinë, për shkak se sipas tij, ai nuk ka platformë.

Reklamë
“Vazhdimi i dialogut pa platformë dhe pa asnjë llogari para këtij Kuvendi po doni t’i thyeni këmbët kur po ju thërrasin dhe ndoshta për ata nuk po gjeni kohë asnjëherë që të vini e të raportoni në Kuvend për dialogun”, tha Lekaj.

Sipas tij, asnjë vendim i Qeverisë Kurti nuk ka ndikuar në jetën e qytetarëve të Kosovës, të cilët sërish janë kthyer para ambasadave për t’u larguar nga vendi.

“Para vetes kemi një raport 100 ditësh të punës së kësaj qeveria dhe askund nuk po shihet asnjë vendim që ka ndikuar në jetën dhe mirëqenien e qytetarit. Të rinjtë kanë filluar të presin sërish para ambasadave për të lëshuar Kosovën sepse ju jeni asgjë më shumë dhe asgjë më pak sesa një farsë e bukur”, tha ai