Gjykata e Mitrovicës ka marrë vendim për vëllaun e kryetarit të Vushtrrisë që vije nga LDK-ja, Xhafer Tahirit lidhur me një video të publikuar në media ku ai shihet duke marrë ryshfet.

Ndaj tij, është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për dy të ndaluarit, S.T nga Vushtrria, i dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit“ nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KRPK), dhe Sh.K, nga Vushtrria, i dyshuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit“ nga neni 424 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KRPK).

Ndalimi i dy të dyshuarve ka ardhur pas një video-incizimi të publikuar nëpër media, e në të cilat incizime pretendohet se dëgjohet S.T, i cili është vëllau i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Xh.T,.

Me tu publikuar video-incizimi, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Shyqyri Syla, ka urdhëruar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Jugut, që të nisë hetime përkitazi me publikimin e këtij video-incizimi, ku pas hetimeve janë ndaluar dy të dyshuarit S.T dhe Sh.K.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ditën e djeshme me datë 08 tetor ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar dy të dyshuarve masën e paraburgimit prej një (1) muaji.