Ish-ylli brazilian i futbollit, Kaka, pretendon se ish-trajneri i tij, Jose Mourinho, ishte pjesërisht përgjegjës për formën e tij zhgënjyese në Real Madrid.
Fituesi i Topit të Artë u transferua në Real Madridi nga Milani në vitin 2009, duke u bërë lojtari i dytë më i shtrenjtë në histori në atë kohë, mirëpo problemet me lëndime ia prishën karrierën e tij në Santiago Bernabeu, transmeton Gazeta Express.

Kur ai ishte në gjendje të mirë fizike, Mourinho ishte bërë trajner i skuadrës madrilene dhe ai shpeshherë zgjedhtë ta linte Kakan jashtë formacionit të parë. Kaka beson se kombinimi i këtyre dy faktorëve ia pamundësoi atij të bëhet yll në Santiago Bernabeu, pasi që Mourinho e preferonte Mesut Ozilin para Kakas.

“Problemi im në Real Madrid ishte vazhdimësia. Së pari, kisha probleme me lëndime. Vitin e parë, kisha probleme me kukat. Tentova ta shtyja veten për të shkuar në turneun e Kupës së Botës dhe pastaj pësova edhe një lëndim tjetër”, ka thënë Kaka.

“Pas Kupës, unë e kisha operacion një gju dhe do të mbetem jashtë për gjashtë muaj. Dhe kur u ktheva, e kisha Mourinho. Problemet e mia në Madrid ishin të vazhdueshme. Së pari kisha probleme me lëndime, pastaj me zgjedhjen e trajnerit”.

“Nuk ka asnjë problem mes nesh tani. Isha në Mançester për një reklamë dhe qëndrova në hotelin ku jetonte Mourinho. Biseduam aty për dy orë. Në një pikë patëm një mosmarrëveshje sepse unë besoja se duhej të luaja më shumë dhe ai besonte të kundërtën. Por ishin mosmarrëveshje me respekt”.

“Unë kurrë nuk u rebelova dhe nuk i thashë se do të largohem, as nuk dola para mediave për t’u ankuar. I thashë: ‘Është zgjedhja jote, por mendoj se mund të kesh opsione të tjera sepse mendoj se unë duhet ta kem një mundësi për të luajtur. Tani, ti duhet të vendosësh’”.

“Ai nuk argumentoi. Më tha se nuk do të më fuste në ndeshje se pozita ishte e Ozilit. Unë mendoja se mund të kontribuoja”.

“Mourinho është pikërisht ashtu siç e shihni në kamera. Ai i ka momentet e tij kur shpërthen, por është shumë i mençur. Problemi që e kisha me të ishte për shkak të zgjedhjeve të tij. Mendoj se ai bëri gabim. Por, ekipi funksionoi. Ai e fitoi ligën dhe ne arritëm deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve”.