Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës doganore në 100 për qind ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, përveç se ka pasqyruar raportet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka ringjallur dilemat nëse Marrëveshja për Tregti të Lirë e njohur si CEFTA është zbatuar siç duhet gjatë viteve të tëra.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe ish zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë kërkuar nga autoritetet kompetente që të rinegociojnë këtë marrëveshje, pasi sipas tyre, Kosova nuk është trajtuar e barabartë me vendet anëtare dhe njëherësh marrëveshja është nënshkruar në kohë jo të duhur, kur përfaqësohej nga Administrata e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, dhe si e tillë, sipas tyre, në të shumtën e rasteve ka dëmtuar ekonominë e Kosovës.

Në CEFTA. Kosova është anëtarësuar në vitin 2007, dhe është nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut, Joakym Ryker për shkak se Kosova, atë kohë, ende nuk e kishte të zgjedhur statusin e saj si shtet i pavarur.

Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA, ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve tregtare në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vendet anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bosnja Hercegovina dhe Moldavia.

Sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, importi i mallrave nga vendet anëtare të CEFTA-s në vitin 2017, ka qenë mbi 856 milionë euro, kurse eksporti i mallrave të Kosovës në vendet anëtare të kësaj marrëveshje, po në këtë vit, ka qenë 183 milionë euro.

Ish-Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, kishte kërkuar që Kosova të tërhiqej nga CEFTA.

“Pas zhvillimeve të fundit në vend, përkitazi me raportet tregtare me Serbinë dhe Bosnjën dhe dëmet e shkaktuara nga shtetet anëtare të CEFTA-s të cilat se kanë njohur pavarësinë e Kosovës, mendoj se është koha e fundit që Kosova të tërhiqet, sepse sot juridikisht Kosova është e përfaqësuar si UNMIK”, kishte theksuar Hasani.

Ai kishte vlerësuar po ashtu se këto shtete janë përfituesit kryesor, ndërsa Kosova ka pësuar vetëm humbje dhe kurrë nuk është trajtuar e barabartë. Rikthimi i mundshëm në CEFTA, sipas Hasanit, do të mund të bëhej vetëm nëse Kosova përfaqësohet si Republika e Kosovës dhe jo si UNMIK.

Por, deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare nga Qeveria e Kosovës për mundësinë e rinegocimit të marrëveshjes.

Kosova përdorë emrin Republika e Kosovës, kurse Serbia insiston që në CEFTA, Kosova të përfaqësohet si UNMIK, përmes institucioneve, siç i quan ajo, të përkohshme të vetqeverisjes.

Pavarësisht se me çfarë emri përfaqësohet Kosova në këtë mekanizëm, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, më 21 nëntor, 2018, për vendosjen e tarifës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, përfaqësues të Bashkimit Evropian kanë kërkuar nga Kosova që të tërheq taksën.

Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të heqin taksën mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Pavarësisht kërkesave të autoriteteve serbe dhe të zyrtarëve të Bashkimit Evropian që taksa prej 100 për qind për produktet serbe të hiqet, Qeveria e Kosovës ka ashpërsuar masat ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

Javën e kaluar Qeveria e Kosovës ka vendosur që taksa prej 100 për qind të vlejë edhe për brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë, nëntë brende ndërkombëtare që ishin në listë, në të cilën Qeveria kishte bërë përjashtim.

Kjo taksë pritet të fillojë se zbatuari nga 1 janari 2019.

Por, më të zhgënjyerit me vendosjen e tarifës janë paraqitur zyrtarë të Beogradit dhe Sarajevës zyrtare, duke kundërshtuar fuqishëm vendimin, pasi sipas tyre Kosova ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s. Madje presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në rast se kjo e fundit nuk e heq taksën.

Me gjithë thirrjet për heqjen e taksës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj vazhdimisht ka përsëritur qëndrimin e tij, se “ taksa nuk do hiqet, pavarësisht se kush është kryeministër apo ministër i Tregtisë, deri sa Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës”

Në konferencën përmbyllëse për këtë vit, kryeministri Haradinaj, të hënën tha se “ nëse Serbia nuk ndryshon qëndrimin karshi Kosovës, taksa do të mbetet përjetësisht. Taksa, sipas tij, mund të largohet brenda ditës, vetëm nëse Serbia njeh pavarësinë e Kosovës.

Haradinaj, ka thënë se Beogradi zyrtar që nga anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm e ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s.

“Prej kur ekziston CEFTA, Serbia vazhdimisht i ka vendos Kosovës barriera jo tarifore, e ka kontestuar origjinën e mallit dhe vetvetiu produktet “Made in Kosova” e kanë pasur të vështirë të hyjnë në tregun serb”, ka thënë Haradinaj.

Shteti i Serbisë duke shfrytëzuar këtë marrëveshje ka qenë një ndër vendet e para me produktet e saja në tregun e Kosovës. Rreth 1.2 milionë euro vetëm gjatë një ditë ka qenë vlera e mallrave nga Serbia që kanë hyrë në territorin e Kosovës, apo deri në 440 milion euro në vit.

Kjo shifër vazhdimisht është paraqitur shqetësuese për përfaqësues të bizneseve, duke i bërë thirrje institucioneve zyrtare të Kosovës që të gjejnë mundësi të përmirësohet sektori i prodhimit në Kosovë, pasi sipas tyre, paratë e gatshme, apo mjetet e ardhura nga diaspora po dërgohen në shtetin e Serbisë.Kurse vlera e produkteve “Made in Kosova” në tregun e Serbisë vitin e kaluar ka qenë mbi 48 milionë euro apo mbi 131 mijë euro në ditë.

Kurse importi nga Bosnja ka qenë 82 milionë euro, ndërkaq eksporti mbi 8 milionë euro.

Ndërkaq, nga aplikimi i taksës po thuajse në tërësi ka rënë importi i produkteve përfundimtare nga Serbia dhe Bosnja ndërkaq në Kosovë po hyjnë vetëm lënda e parë e nevojshme për prodhuesit e Kosovës

Ndryshe, Kosova gjatë këtij viti ka kryesuar CEFTA. Udhëheqja e CEFTA-s nga Kosova, nga ekspertët është parë si rutinë pa ndonjë përmirësim në zhvillimin e bizneseve, kurse zyrtarë të qeverisë kanë pohuar se Kosova me sukses ka përfunduar presidencën e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë dhe me këtë kanë dëshmuar se Kosova mund dhe din të udhëheqë me një mekanizëm ndërkombëtar.