Trajneri spanjoll i Manchester Cityt, Pep Guardiola, beson se ai dhe skuadra e tij do të cilësohen si dështakë nëse nuk arrijnë të triumfojnë në Ligën e Kampionëve këtë sezon, duke shtuar se kritikët i përdorin paratë e shpenzuara si argument.
Një pikë nga përballja e kësaj nate kundër Lyonit do t’i mjaftojë Manchester Cityt për t’u kualifikuar për fazën e ardhshme, ndërsa fitorja ia siguron atyre kualifikimin si liderë të Grupit F, transmeton Gazeta Express.
Skuadra e Guardiolës i ka fituar që të dy ndeshjet si mysafir këtë sezon në Ligën e Kampionëve, mirëpo trajneri nuk beson se kjo gjë është e mjaftueshme, pasi që nga ta kërkohet ta fitojnë titullin e kësaj gare.
Vitin e kaluar, Manchester City u mposht nga Liverpooli në çerekfinale të kësaj gare, në të dy ndeshjet, si në shtëpi, ashtu edhe si mysafir.
“Për njerëzit që nuk na duan shumë, ata i përdorin paratë si argument, atëherë ne do të jemi dështakë nëse nuk e fitojmë titullin e Ligës së Kampionëve”, ka thënë Guardiola në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Lyonit, prej të cilëve kishin pësuar në ndeshjen e parë në shtëpi.
“Për njerëzit e tjerë, veçanërisht tifozët tanë, njerëzit që thonë: ‘Në rregull, ne po e shijojmë futbollin, jemi të lumtur me atë që po e bëni’, jam i sigurt se ata nuk u ka mbetur merak asgjë sa i përket asaj se çfarë po bëjnë djelmoshat në 12, 14 apo 15 muajt e fundit”.