Lokale - eSIMy

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjatë ditës së sotme ai është takuar me banorët e fshatit Llugë, të cilëve iu premtoi ndryshime të mëdha nëse ai merr mandatin.

Ai ka premtuar ndryshime në arsim, ekonomi, shëndetësi, infrastrukturë e në shumë fusha të tjera.

Sipas Bulliqit, në këtë lokalitet ka pasur pak investime dhe se edhe ato që janë realizuar janë bërë me iniciativën e vetë qytetarëve.

Ai u zotua se programi i tij qeverisës do të bëjë kthesë të madhe në Podujevë.

“Kemi mjaft nga t’ia nisim dhe cilën pikë ta shikojmë, pasi që është një model ekstra i një qeverisje të keqe që ka bërë ky individ (Agim Veliu) për këto 20 vjet në komunën tonë. Edhe këto pak projekte të realizuara, të jeni të bindur dhe e dini shumë mirë që janë projekte individuale që i kemi bërë si qytetarë të organizuar. Unë besoj se ka ardhur dita për ndryshim dhe tashmë këtë ndryshim nuk mund ta ndalë askush, aq më pak ata të cilët e patën pushtetin për 20 vjet. Ne kemi bërë një program të punës ku janë futur të gjitha projektet që do të realizohen gjatë kësaj periudhe në fushën e administratës komunale, arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, rinisë, sportit, mjedisit, pastaj edhe në fusha tjera të cilat janë të rëndësishme në administrimin e pushtetit lokal”, u shpreh Bulliqi.