Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se kjo parti ka vendosur që t’i bëjë hapat e duhur për t’ia bërë mocionin e mosbesimit qeverisë së Ramush Haradinajt, pasi sipas tij, shteti është në krizë.
“Kryesia e LDK-së këtyre ditëve ka filluar një cikël takimesh, në radhë të parë Kryesia është takuar, pastaj kemi pasë takim me kryetarët e nëndegëve”.
“Sot e patëm një takim me Grupin Parlamentar dhe do të vazhdojmë me takime të tjera sigurisht drejt organeve vendimmarrëse të LDK-së, krejt në funksion të bashkërendimit të aktiviteteve në mënyrë që këtë situatë që është e vështirë për vendin tonë ta tejkalojmë sa më shpejt”.
“Rikonfirmuam qëndrimet tona – është një disponim i mirë i të gjitha organeve dhe mekanizmave të LDK-së që të punojmë bashkërisht drejt rrëzimit të kësaj Qeverie, sa më shpejt që është e mundur”.
“Do të punojmë edhe me subjektet tjera politike në mënyrë që ta përgatisim një mocion sa më shpejt dhe vendin ta çojmë drejt zgjedhjeve. Qëndrimi i LDK-së është konsistent, prej fillimit të vitit, se vendi është në krizë politike dhe institucionale”.
“Këto institucione nuk kanë legjitimitet politik dhe kushtetues prandaj nuk mund të udhëheqin me tema të ndjeshme për Kosovën që janë në interes për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Nëse kjo nuk ka sukses, Veliu ka thënë se LDK-ja do të thërrasë protesta por që sipas tij, nëse njëherë ata thërrasin mbështetësit e tyre në rrugë, atëherë nuk ka më kthim në institucione, njofton Klan Kosova.
“LDK nuk është kundër shprehjes së vullnetit të qytetarëve edhe përmes protestave, por ne si Kryesi nuk e kemi vlerësuar se është momenti i duhur që të thërrasim anëtarësinë e LDK-së për protesta sepse mendojmë se na kanë mbetur edhe dy-tri veprime që duhet të bëhen brenda institucioneve. Hapi i fundit është protesta që nuk e përjashtojmë”.
“Nuk do t’i përgjigjemi ftesës së Vetëvendosjes sepse ne kur e vendosim, do të thërrasim dhe organizojmë vetë protesta, si LDK”.
“Protesta është hapi i fundit, sepse nëse ne dalim në rrugë, atëherë LDK nuk kthehet më në këto institucione derisa të legjitimohen me votën e qytetarëve”.
Në ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se shkuarja e presidentit Hashim Thaçit dhe kryeministrit Ramush Haadnaj në New York tregon se çfarë politike “mish-mash”, sipas tij, po bëhet në Kosovë.
Hoti nuk ka folur për vendime individuale të deputetëve por se ka thënë se nëse vjen puna, do të thërrasin vetë protestë.






