Trajneri i ri i përkohshëm i Real Madridit, Santiago Solari, e ka mbajtur sot seancën e tij të parë stërvitore në pozitën e trajnerit të ekipit të parë të klubit madrilen, por në këtë seancë kanë munguar Dani Carvajal, Raphael Varane, Marcelo, Jesus Vallejo dhe Mariano.
Pasi mbrëmë bordi drejtues i Real Madridi e mori vendimin për ta shkarkuar Julen Lopeteguin nga pozita e trajnerit të klubit, ata vendosën që trajner i përkohshëm i ekipit të tyre të ishte Solari, i cili e kishte në dorë menaxhimin e Real Madrid Castillas, transmeton Gazeta Express.
Argjentinasi, i cili deri dje i stërviste lojtarët e rinj të Real Madridit, tani është përkohësisht duke i stërvitur yjet e “Los Blancos”. Kjo gjë mund të zgjasë vetëm dy javë, pasi që deri atëherë duhet të merret një vendim përfundimtar.
Në ditën e tij të pari si trajner i ekipit të parë të Real Madridit në qendrën stërvitore Valdebebas, atij i munguan disa nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës madrilene: Dani Carvajal, Raphael Varane, Marcelo, Jesus Vallejo dhe Mariano.
Solari i thirri edhe pesë lojtarë të Real Madrid Castillas për t’u stërvitur me ekipin e parë, pasi që ai e njeh mjaft mirë atë skuadër që e drejtojnë deri dje. Këta pesë lojtarë janë: Sergio Lopez, Adrian De la Fuente, Javi Sanchez, Alex Martín dhe Fran García.






