Lokale - eSIMy

Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi, ka thënë se do të dëshironte të punonte bashkë me trajnerin e Manchester Cityt, Pep Guardiolën, përsëri. Mirëpo, ai e pranon se do të jetë shumë e vështirë që të ndodhë një gjë e tillë.

Guardiola ishte trajner i Messit në Barcelonë për katër vite, nga viti 2008 deri në vitin 2012, para se të vendoste ta fillonte një hap të ri në karrierën e tij, kur e mori në drejtim Bayern Munichun, transmeton Gazeta Express.

Gjatë kësaj kohe kur këta të dy ishin bashkë, korrën shumë suksese. Messi dhe Guardiola arritën t’i fitojnë tre tituj të La Ligës, tre tituj të Ligës së Kampionëve, dy tituj të Copa del Rey, dy tituj të Superkupës së Evropës, tre tituj të Superkupës së Spanjës, si dhe dy tituj të Kupës së Botës për klube.

Argjentinasi e ka lavdëruar ish-trajnerin e tij, i cili tani është në pozitën e trajnerit të Manchester Cityt, duke thënë se ai është një ndër trajnerët më të mirë në botë dhe se do të donte të punonte përsëri me të.

“Është gjithmonë një ndjenjë e mirë të luash bashkë me lojtarë të mrekullueshëm. Edhe pse është e vështirë të ndodhë, do të më pëlqente të punoja me Guardiolën përsëri. Ai është një ndër trajnerët më të mirë në botë”, ka thënë Messi.