Është konfirmuar raportimi i Llapi.info, se kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës do të jetë Ekrem Hyseni, raporton tutje Llapi.info.

Ky vendim është marrë sot në mbledhjen e kryesisë së LDK-së, ndërkohë që Ekrem Hyseni do të garoj për të parin e Podujevës në zgjedhjet që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

“Kryesia e LDK-së ka zyrtarizuar kandidaturat për kryetarë të këtyre komunave: 

Kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama; 

Kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës, z. Ekrem Hyseni; 

Kandidat për kryetar të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri; 

Kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës, z. Ardian Shala; 

Kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti; 

Kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, z. Burim Berisha; 

Kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti; 

Kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, z. Xhafer Tahiri”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj ka zyrtarizuar kandidaturën e deputetit aktual nga radhët e kësaj partie, Besnik Tahiri.

Përveç Tahirit, kandidatin për kryetar të Podujevës e ka bërë zyrtare edhe partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate. Kryetari i kësaj partie në Podujevë, Xhemajl Hasani ka njoftuar se do t’i hyjë sërish garës për kryetar të kësaj Komune.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ende s’ka dhënë ndonjë detaj se kush mundet të jetë kandidat për kryetar të Podujevës, e që të njëjtin gjë s’e ka bërë të ditur zyrtarisht as Lëvizja Vetëvendosje.

Duhet theksuar se zgjedhjet lokale pritet të mbahen në tetor. Ditë më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka mbajtur takime me krerët e partive, ndërkohë që shumica e partive kanë kërkuar që zgjedhjet të mbahen më 31 tetor./Llapi.info