Bizneset që operojnë në Komunën e Podujevës do të punojnë edhe gjatë të dielave, raporton Llapi.info.

Ky vendim është marrë në një seancë të Kuvendit të Podujevës, derisa i njëjti do të vlejë deri më 30 shtator. Kështu thuhet në dokumentin e publikuar nga Komuna, ndërsa ai do të hyjë në fuqi 7 ditë pas publikimit të dokumentit.

“Kohëzgjatja e pezullimit sipas nenit 1 të këtij vendimi, respektivisht lejimi që dita e diele të jetë ditë pune për subjektet afariste/bizneset, bëhet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi deri më 30 shtator 2021”, thuhet në vendim.

Tutje thuhet se deri tek vendim që të operojnë bizneset edhe gjatë ditë së diele ka ardhur pas dëmeve ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19.

“Arsyeja e pezullimit të neneve të cekura, përkatësisht lejimi i punës dhe ditëve të diela për subjektet afariste/bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës, është ofrimi i mundësive për afarizëm dhe qarkullim të bizneseve me qëllim të ngritjes së tyre si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga pandemia COVID-19, furnizim dhe shërbime të rregullta për qytetarët në këtë periudhë verore kur pritet edhe ardhja e një numri të madh të bashkatdhetarëve për pushime në Kosovë”, thuhet tutje.

“Për zbatimin e këtij vendimi kujdeset Kryetari i Komunës dhe drejtoritë të Komunës varësisht fushë veprimtarisë dhe kompetencave përkatëse. Vendimi hynë në fuqi 7 ditë pas publikimit në ueb-faqe zyrtare të Komunës së Podujevës”, përfundon vendimi.

Në një seancë të mbajtur në Kuvendin Komunal, me kërkesë të kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi, është marrë vendim që të pezullohet pjesa e Rregullores për orarin e punës te pjesa ku e ndalonte punën ditën e diel. Kjo ndalesë do të vlejë deri më 30 shtator, ndërsa deri atëherë do të punohet në plotësim-ndryshimin e kësaj Rregulloreje.

Me këtë vendim janë shprehur të pakënaqur disa pronarë të bizneseve, të cilët me protestë e kanë kundërshtuar këtë vendim. Ata e kanë dorëzuar edhe një peticion me 145 nënshkrime, ku kërkohet që dita e diel të mbetet pushim, siç ka qenë nga viti 2020./Llapi.info

No photo description available.