Zvicra e ka eliminuar Francën me anë të penalltive në 1/8 e finales në Euro 2020, pasi koha e rregullt përfundoi 3-3, në vazhdime portat ishin të paprekura, derisa nga pika e bardhë, Helvetikët shënuan pesë për dallim nga Gjelat që realizuan katra, e që kaluan kështu në çerekfinale, aty ku i pret Spanja.

Në pjesën e parë, pas vetëm dy minutash lojë, Les Blues rrezikuan me anë të Antoine Griezmannit që harkoi te Raphael Varane, mirëpo goditja e tij me kokë ishte e pasaktë.

Por, në minutën e 15-të, Zvicra përfitoi nga një huti e Francës, duke kaluar në epërsi me anë të Haris Seferovic, që u asistua nga Stefa Zuber.

Franca më pas mori kontrollin e lojës, e një rast i mirë për ta ishte kur Kylian Mbappe (27’) goditi nga gjuajtja e lirë, por u bllokua.

Një tjetër rast për Francën ishte edhe në minutën e 29-të, kur Adrien Rabiot hyri në zonë, por dështoi t’i gjente bashkëlojtarët.

Zvicra më pas tentoi të dilte përpara me kundërsulme, por bënë pasime të gabuar.

Në 45 minutat e dytë, Zvicra kishte shansin që të shënonte edhe golin e dytë, mirëpo dështoi.

Zviceranët e fituan një penallti, e përgjegjësinë e mori Ricardo Rodriguez.

Përballë Hugo Lloris, mbrojtësi i Zvicrës dështoi të shënonte nga pika e bardhë, pasi portieri arriti ta ndalte atë.

E këtë gabim të Zvicrës e shfrytëzuan Les Blues, të cilët i barazuan shifrat në 1-1 me anët të Karim Benzeman në minutën e 57-të.

Gjelat nuk u ndalën me kaq, pasi shënuan për 2-1, duke përmbysur kështu rezultatin me Benzeman që ishte përsëri shënues, e Antoine Griezmann në rolin e asistuesit.

Les Blues arritën të shënonin edhe golin e tretë me anë të Paul Pogbas që realizoi në minutën e 75-të me një goditje nga distanca.

Por, zviceranët mbajtën francezët nën ethe, shkaku që Haris Seferovic (81’) shënoi golin e tij të dytë personal dhe për rezultatin 3-2.

Helvetikët nuk u dorëzuan deri në fund dhe i barazuan shifrat në 3-3 me anë të Mario Gavranovic, me Granit Xhakën që asistoi në minutën e 90-të.

Ndeshja shkoi në vazhdime me dy herë nga 15 minuta, mirëpo as aty nuk u përcaktua fati i fituesit edhe pse rastet nuk munguan.

Kështu, ndeshja shkoi në gjuajtjen e penalltive, e që aty Zvicra arriti të shënonte pesë, për dallim nga Franca që shënoi katër.

Helvetikët në çerekfinale do të kenë punë me Spanjën, që eliminoi Kroacinë 5-3 vetëm pas vazhdimeve