Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj e ka përmendur një thënie popullore, teksa ka folur për pozicionin e kryeministrit Albin Kurti në dialogun me Serbinë.

Zemaj tha se pse Kurti po do “mjegull” në këtë proces do të kuptohet pas takimit të së martës në Bruksel.

Më 15 qershor në Bruksel do të mbahet takimi i parë mes kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq në kuadër të  dialogut.

“Po e përfundoj me një fjalë të urtë popullore, por prap po e them që nuk do të dëshiroja që të rezultonte e vërtetë. Thonë ujku don mjegull, po pse Albini po e do këtë mund ta kuptojmë vetëm pas takimit të së martës, për të cilin prapë nuk e tha a do të takohet apo nuk do të takohet me presidentin Vuçiq”, tha Zemaj.

Kuvendi i Kosovës po mban diskutim mbi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë.