Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka folur për disa vdekje në QKUK që po cilësohen të dyshimta.

Zemaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se policia dhe prokuroria janë duke bërë punën e tyre sa i përket rastit të katër vdekjeve në Klinikën Infektive.

Ai ka thënë se ka marrë informacionin në mesnatë nga njerëzit e kabinetit të tij për ngjarjen.

“Më kanë njoftuar se ka lëvizje edhe nga policia dhe prokuroria. Në mëngjes kam shkuar në Klinikën Infektive dhe nuk më ka pëlqyer pamja që është rrethuar me shirita Klinika Infektive. Kam kërkuar që pasi të mbarojnë punë të largojnë shiritat dhe të lënë mjekët e infermierët të bëjnë punët e tyre”.

I pyetur nëse ndjen përgjegjësi për disa vdekje në Klinikën Infektive dhe a do të jep dorëheqje, Zemaj është përgjigjur.

“Nëse vdekjet kanë ndodhur për shkak të neglizhencës së Ministrit ose Ministrisë së Shëndetësisë natyrisht se nuk do të hezitoja. Unë nuk jam përgjegjës për ndonjë akt kriminal të dikujt për shkak të kujdesisë dhe ia merr jetën dikujt tjetër. Unë do të isha përgjegjës nëse nuk ka pasur mjek, infermier, medikamente, shtretër, aparaturë, autoambulancë”.

Zemaj thotë se ai nuk mund të ndjehet përgjegjës nëse dikush ka mundur të mos e lëshojë oksigjenin sa duhet në aparaturë.