Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi ka akuzuar Qeverinë Kurti për përdorim të gjuhës së urrejtjes si dhe pasiguri e papërgjegjësi në udhëheqje të shtetit.

Ajo tutje tha se përgjatë kësaj periudhe të qeverisjes, rezultatet kryesore të saj janë instalimi i frikës dhe kërcënimit si mjet i komunikimit të tyre.

Postimi i plotë:

Qeverisja e mirë nënkupton ndër të tjera edhe qasjen e përfaqësuesve të shtetit karshi problemeve a rasteve të shfaqura në përditshmëri. Arroganca dhe gjuha e urrejtjes e ardhur nga lartë tregon për një pasiguri në udhëheqje të shtetit dhe papërgjegjësi në rolin që kanë në krijimin e diskursit publik.

Fatkeqësisht, përgjatë kësaj periudhe të qeverisjes, rezultatet kryesore të saj janë instalimi i frikës dhe kërcënimit si mjet i komunikimit të tyre.

Qytetarët e këtij vendi kanë nevojë për siguri dhe ndjenjën për të qenë pjesë e shtetit, i një vendi që dikush i udhëheqë, pavarësisht se çfarë bindje politike a kategorie shoqërore i takojnë. Në të kundërtën, kjo qeverisje më së miri karakterizohet me thënien “Nëse mjeti juaji i vetëm është çekiçi, keni tendencën ta shihni çdo problem si një gozhdë”.